Ministria e Shëndetësisë në Gaza: 15,899 palestinezë të vrarë që nga 7 tetori
Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka lëshuar shifra të reja të viktimave, duke thënë se 15,899 palestinezë janë vrarë nga fushata ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori. Ministria, e cila është pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Hamas në Rripin e Gazës, thotë se 70% e atyre që janë vrarë janë gra dhe fëmijë. Nuk i detajon shifrat mes civilëve dhe luftëtarëve. Numri i vdekjeve ka të ngjarë të nënllogaritet, pasi kolapsi i sistemit shëndetësor në Gaza e ka bërë të vështirë mbledhjen e statistikave dhe ka më shumë se 6,000 palestinezë që konsiderohen të zhdukur brenda territorit.
Ushtria izraelite i ka zgjeruar operacionet tokësore më thellë në Gazën jugore, me dhjetëra tanke izraelite, transportues të blinduar të personelit dhe buldozerë që kanë hyrë në Rripin e Gazës pranë Khan Younis. Dëshmitarët thanë se automjetet ushtarake izraelite mund të shiheshin në pjesën jugore të rrugës kryesore veri-jug në Gaza, “duke gjuajtur plumba dhe predha tankesh në vetura dhe njerëz që përpiqeshin të lëviznin nëpër zonë”. Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra të reja për palestinezët në rreth 20 zona të Gazës qendrore për të lëvizur më në jug, duke postuar harta në internet.
Ushtria izraelite ka mohuar t’i ketë thënë Organizatës Botërore të Shëndetësisë që ta zbrazë një depo ndihme në Gazën jugore brenda 24 orëve përpara se operacionet tokësore në zonë ta bëjnë atë të papërdorshme. Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus shkroi në X të hënën: “Sot, OBSH mori njoftimin nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit se ne duhet të heqim furnizimet tona nga magazina jonë mjekësore në Gazën jugore brenda 24 orëve, pasi operacionet tokësore do ta bëjnë atë jashtë përdorimit… Ne apelojmë Izraelit të tërheqë urdhrin dhe të marrë çdo masë të mundshme për t’i mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile, duke përfshirë spitalet dhe objektet humanitare”- shkroi ai.
Kompania e telekomunikacionit PalTel ka thënë se Gaza po përballet me një ndërprerje të komunikimit, me të gjitha shërbimet e telekomit (fiks, celular dhe internet) në qytetin e Gazës dhe në veri të Rripit të Gazës të humbura për shkak të shkëputjes së elementeve kryesore të rrjetit.
Të paktën 60 palestinezë u arrestuan në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë natës, njoftoi Al Jazeera, me forcat izraelite që kryen bastisje në qytetet Qalqilya, Jericho, Jenin dhe Tulkarem. /The Guardian
Përgatiti: Nuhi Shala