Ministria e Shëndetësisë kërkon nga personat mbi 80-vjeç të presin për thirrjen për vaksinim

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët e moshës mbi 80-vjeçare që të presin thirrjen për vaksinim me vaksinën anti-COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje personave të moshës mbi 80 vjeçare dhe atyre me sëmundje kronike, që të presin thirrjen për vaksinim nga njësitë e vaksinimit dhe mos të drejtohen në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dhe në qendrat e tjera të vaksinimit, para se të marrin ftesën për marrje të vaksinës”, thuhet në njoftimin  e ministrisë.

Tutje Ministria ka sqaruar se cilat janë grupet prioritare që pritet të vaksinohen në ditët në vijim.

“Të parët që do të vaksinohen, sikur është bërë e ditur, janë të gjithë profesionistët shëndetësor, ndërsa menjëherë pas tyre, do të vaksionohen grupet e tjera sipas Planit shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19, përfshirë personat e moshës mbi 80 vjeçare”, thuhet tutje aty.

Sipas njoftimit personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike do të kontaktohen nga njësitë e vaksinimit në çdo komunë për t’u vaksinuar.

“Për t’u siguruar përfshirja e plotë e tyre në lista, gjatë ditës së nesërme, në dispozicion të qytetarëve do të jetë edhe një platformë elektronike, krahas regjistrimit klasik të tyre”, thuhet në njoftim.

Sot në Kosovë ka filluar procesi i vaksinimit pas sigurimit të 24 mijë dozave të vaksinave ‘AstraZeneca”.

Përgatitet salla 1 Tetori për vaksinim të qytetarëve kundër COVID-19 (VIDEO)