Burgu i Dubravës (Ilustrim)

Ministria e Shëndetësisë jep detaje për të sëmurët me zgjebë në burgun e Dubravës

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje për rastin e dy të sëmurëve me zhugë (zgjebë) në burgun e Dubravës.

Sipas komunikatës, të premten me 20 mars, mjeku kujdestar gjatë vizitës ka vërejtur se dy të burgosur në një pavijon në Burgun e Dubravës kanë shenja të zgjebës.

“Menjëherë është bërë diagnostikimi i tyre dhe ka filluar trajtimi i menjëhershëm i këtyre personave dhe kontakteve të tyre në dy dhomat ngjitur. ShKK së bashku me DShB kanë vepruar duke bërë menjëherë Dezinfektimi i tërë krahut, janë kontrolluar të gjithë të burgosurit e krahut, janë dërguar për pastrim të gjitha rrobat, janë nxjerrë jashtë dyshekët për ajrosje të tri dhomave ngjitur dhe janë ndërruar shtrojat dhe mbulojat”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXo.com.

Po ashtu, në përgjigje thuhet se për  të bërë parandalimin e përhapjes, janë duke u trajtuar, lyer me losion kundër skabiesit 11 persona, nga ta dy të infektuar dhe nëntë persona të kontaktit.

“Duke pasur parasysh fluksin e ardhjeve te të burgosurve nga jashtë, rrobave nga familjarët, është e mundur që të ketë raste të tilla por zakonisht, siç ka ndodhur edhe kësaj radhe këto raste izolohen dhe trajtohen”, tha Ministria.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se dezinfektimi dhe dezinsektimi  në burgje bëhet së pakë 4 herë në vit, e një e tillë është bërë para 3 javësh, kurse në këtë kohë është duke u bërë dezinfektimi i dhomave dhe korridoreve çdo ditë.

KALLXO.com raportoi sot gjatë ditës se dy pesona në burgun e Dubravës ishin të sëmurë me zgjebë.

Në burgun e Dubravës dy persona të sëmurë me zhugë