Komuna e Rahovecit - Foto: KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë ia anuloi koncertin Drejtorisë së Kulturës në Rahovec

Ministria e Shëndetësisë për shkak të gjendjes së krijuar të pandemisë COVID-19,  i ka anuluar koncertin Drejtorisë së Kulturës së Komunës së Rahovecit.

Organizatori i këtij koncerti i cili planifikohej të mbahej gjatë ditës së nesërme, Roland Mullaavda, ka treguar se organizimi është anuluar për shkak të vendimit për të mos bërë organizime të tilla.

“Sapo e pranova një email nga drejtoria e kulturës rinisë dhe sportit, se nga Policia e Kosovës në Rahovec dhe Ministria e Shëndetësis, kërkesa e komunës dhe shtabit emergjent komunal, për organizimin e mbrëmjes të paraparë nesër me datë 29.04 (e mërkure) është refuzuar me arsyetim se brenda këtyre ditëve është marr vendim që mos të lejohen organizime të tilla, edhe pse unë si organizator në bashkëpunim me komunën kam marr t’gjitha masat të caktuara nga ministria duke e respektuar paisjen me doreza dhe maska për ata që do ishin pjesë e organizimit”, ka shkruar Mullaavda.

Qëllimi i këtij organizimi sipas Mullaavda është për të argëtuar qytetarët pasi që janë brenda shtëpive të tyre duke respektuar masat e vendosura për parandalim të pandemisë.

Në anën tjetër njoftimi i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Ravecit kishte bërë thirrje që të mos dalin por koncertin ta dëgjonin nga ballkonet e tyre.

“Duke marrë parasysh që muzika është ilaç më i mirë kundër monotonisë, artistët tanë në bashkëpunim me komunën, sjellin tek ju atmosferë përmes tingujve të muzikës, në mënyrë që në kohë pandemie, t’i argëtojnë të gjithë qytetarët e Rahovecit dhe më gjerë, me qëllim që të rikthejm sado pak energjinë pozitive në vendin tonë. Ju ftojmë të shijoni tingujt e muzikës nga ballkonet tuaja!”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Kulturës.