Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë: Furnizimi me ujë të pijes është stabilizuar

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se furnizimi me ujë të pijes është stabilizuar pas situatës së krijuar si pasojë e të reshurave të shumta dhe vërshimeve që kanë ndodhur në pjesën më të madhe të vendit.

Sipas njoftimit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse.

“Ekipet e Institutit Kombëtar po vazhdojnë me vigjilencë të shtuar dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të pijes. Të gjitha QRSHP në Kosovë janë në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare pa ndërprerë me specialistët e ekologjisë humane dhe epidemiologjisë dhe po monitorojnë situatën epidemiologjike e cila është në kontroll dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Këto janë të dhënat e përditësuara nga Ministria e Shëndetësisë:

  • KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: Fabrika në Shkabaj dhe fabrika Drenas trajtojnë ujin me kapacitet jo të plotë.

Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërë zonat e shërbimit të KRU-Prishtina.

Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e IKSHPK janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,1mg-0,3mg/L.

  • KRU “Mitrovica”- Rajoni Mitrovicë: Fabrikat në Shipol- Mitrovicë dhe në Balicë- Vushtrrisë janë në funksion të plotë me trajtimin e ujit.

Në mostrat e grumbulluara, analizat laboratorike fiziko-kimike dhe bakteriologjike rezultojnë brenda standardeve.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L në tërë zonën e shërbimit.

Për shkak të vërshimeve uji i puseve nuk është i sigurt dhe duhet të vlohet para përdorimit.

  • KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: Vlerat e turbullirës brenda standardeve.

Në mostrat e grumbulluara, analizat laboratorike fiziko-kimike rezultojnë brenda standardeve.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L

Për shkak të komunikimit të lumit Klina me resursin e Jarinës, uji ka kontaminim bakteror.

Rekomandojmë KRU “Hidrodrini” të ngrisë nivelin e kontrollit në procesin e trajtimit dhe në rrjetin shpërndarës.

  • KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës:

Në zonat e furnizimit nga KRU”Gjakova” gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë.

Të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,25mg-0,35mg/L.

  • KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë, Kaçanik, Hani Elezit, Shtërpcë të gjitha mostrat e ujit janë brenda standardeve për ujin e pijes.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2-0,3mg/L.

  • KRU “Hidromorava”- Rajoni Gjilan:

Të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë në Gjilan janë brenda standardeve për ujin e pijes.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L.

  • KRU “Hidroregjioni jugor”- Rajoni Prizren:

Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP Prizren janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3 mg/L.

Po ashtu, në njoftim është thënë se IKSHPK / Qendra e Ujit rekomandon të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) me qëllim të stabilizimit të furnizimit:

  • Përcjellja e vlerave të turbullirës dhe kujdes i shtuar në procesin e trajtimit
  • Kujdes i shtuar në procesin e dezinfektimit
  • Pastrimi i të gjitha stabilimenteve në procesin e trajtimit
  • Pastrimi i rezervoareve dhe rrjetit shpërndarës
  • Riparimi dhe debllokimi i pusetave
  • Sanimi i dëmtimeve ne rrjetin shpërndarës

Ditëve të fundit Minsitria e Shëndtësisë u kishte bërë thirrje qytetarëve që të vlojnë ujin para përdorimit si masë e sigurisë.

MSH kishte thënë se kjo procedurë është e thjeshtë por e domosdoshme për të parandaluar shpërthim të epidemive hidrike.