QKUK - Foto: Atdhe Mulla

Ministria e Shëndetësisë flet për emërimin e ish-kandidatit të LVV-së për deputet në bordin e ShSKUK-së

Ministria e Shëndetësisë është deklaruar lidhur me emërimin e këshilltarit të ministrit Arben Vitia, Mirsad Shkreta, në bordin drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, një ditë më parë, duke dhënë arsye se ligji nuk e thotë nëse përfaqësuesi i MSh-së në bord të ShSKUK-së duhet të jetë me mandat politik ose jo.

KALLXO.com, të shtunën ka raportuar lidhur me emërimin politik të Shkretës si anëtar bordi në ShSKUK, pasi përveç pozitës së këshilltarit të ministrit Vitia, Shkreta më herët ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje (partia së cilës i përket ministri Vitia), për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com ka thënë se përgjigjen për këtë çështje e ka dhënë Ligji për Shëndetësi, i cili e përcakton edhe përbërjen e bordit të ShSKUK-së, ku një përfaqësues është nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ligji nuk e thotë nëse përfaqësuesi i MSh-së duhet të jetë me mandat politik ose jo. Kështu ka qenë edhe në mandatet e bordeve të kaluara të SHSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e Divizioni të Komunikimit me Publikun të Ministrisë.

MSh-ja nuk është përgjigjur në pyetjet se pse është emëruar pikërisht Shkreta në këtë pozitë si dhe të njëjtit a do t’i përfundojë mandati nëse ai më nuk do të jetë këshilltar për shkak të ndërrimit të Qeverisë.

Qeveria në detyrë e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës bëri të ditur se e ka aprovuar vendimin për shkarkimin e bordit drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, për arsye se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e rëndësishme të përcaktuara me statutin e ShSKUK-së dhe ka dështuar në arritjen e objektivave.

Me po të njëjtin vendim Qeveria në detyrë e ka emëruar bordin e ri në përbërje prej shtatë anëtarësh.

Pjesë e këtij bordi është bërë edhe Mirsad Shkreta, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Shkreta gjithashtu në zgjedhjet nacionale të vitit 2017 ka qenë kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto zgjedhje Shkreta i kishte siguruar 3,387 vota, duke mos arritur të bëhet deputet i LVV-së.

Në Ligjin për Shëndetësi, neni 64 përcaktohet mënyra e përzgjedhjes së bordit të ShSKUK-së. Bordi përbëhet nga shtatë anëtarë të cilët zgjidhen me vendim të Qeverisë pas propozimit që bëhet nga ministri i Shëndetësisë.

Në këtë bord ka përfaqësues të QKUK-së, Klinikës Stomatologjike. Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë publike, përfaqësues nga spitalet rajonale. Në këtë bord duhet të jetë edhe një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë.

I vetmi anëtar i këtij bordi që zgjidhet përmes një konkursi publik është eksperti i menaxhmentit shëndetësor me kualifikime të larta profesionale shkencore.

Ndërsa, sa i përket përfaqësuesit të ministrisë së Shëndetësisë nuk jepen detaje në ligj e as në statutin e ShSKUK-së nëse ai duhet të jetë nga shërbyesit civil të kësaj Ministrie, apo ministri ka të drejtë të propozojë edhe persona nga kabineti i tij, pra staf politik.

Kurse, Mirsad Shkreta para se të aderonte në Vetëvendosje, ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar se stomatologu nga Hani i Elezit, Mirsad Shkreta që në vitin 2013 si delegat i këtij qyteti ishte i vetmi që në konventën e gjashtë të PDK-së votoi kundër rizgjedhjes së Hashim Thaçit në krye të kësaj partie.

Kur votoi kundër zgjedhjes së Thaçit kryetar partie, Shkreta kishte thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se kryetari i atëhershëm i PDK-së nuk i ishte hakmarrë për votën kundër.

Më pas në vitin 2014 ish-asamblisti i PDK-së iu bashkua këshilltarëve komunalë të Vetëvendosjes në Han të Elezit.

Në anën tjetër, pjesë e bordit të ri të ShSKUK-së, janë edhe: Agreta Gecaj – Gashi – QKUK; Aida Rexhepi– Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Xhevat Jakupi – IKSHhPK; Diana Dafota – Spitali i Përgjithshëm Gjakovë – Në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore; Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor; një ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.

Kurse, kryesues i bordit drejtues të ShSKUK është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1 vjeçar të cilin e pason me radhë në vitin e dytë përfaqësuesi i QKUK dhe në vitin e tretë përfaqësuesi i QKSUK.