Ministria e Shëndetësisë falënderon ministrin Arben Vitia

Qeveria e Albin Kurtit ka udhëhequr 120 ditë, dhe ministër i Shëndetësisë deri më sot ka qenë Arben Vitia nga LVV, ndërsa nga sot këtë ministri do ta udhëheqë Armend Zemaj nga LDK.

Në Kuvendin e Kosovës sot është votuar qeveria e re, e cila do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë, në një postim në Facebook ka falënderuar ish-ministrin Vitia për kontributin e dhënë për aq kohë sa ka qenë ministër.

“Erdhëm së bashku deri këtu, me besimin e ndërsjellë. Këta tre muaj shënojnë një stad të ri për vendin. Sakrifikuam shumë që të mos gjunjëzoheshim dhe ia dolëm”, thuhet në njoftim

Tutje, në njoftim thuhet se theksi i kësaj ministri ka qenë tëk solidaritetit jo tek zënkat dhe ndëshkimet.

“Ne ia dolëm, sepse nuk vendosëm theksin tek ndëshkimi apo zënia në gabim, por tek solidariteti”, thuhet në njoftim.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot qeverinë e re të vendit të koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti. Për qeverinë e re kanë votuar 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Në votim morën pjesë 86 deputetë.