Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, Foto: Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë del me sqarim rreth masave të reja anti-COVID-19

Ministria e Shëndetësisë, e cila udhëhiqet nga Armend Zemaj i LDK-së, ka dhënë sqarime rreth vendimeve të fundit që sot nxori Qeveria e vendit.

Siç njoftoi sot Qeveria e Kosovës, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, do të bëhen disa lehtësira për lëvizje të qytetarëve të vendit.

Por, në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk përmendet IKSHPK, mirëpo janë propozime të këtij institucioni.

“Ndërlidhur me interpretimet e ndryshme rreth masave të fundit anti covid-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë informon publikun se vendimet e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë marrë sipas propozimeve të MSh-së bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, e cila gjatë këtij muaji ka rezultuar të jetë më e qetë”, thuhet në njoftim.

Vendimet e sotme të ekzekutivit kosovar i ka kundërshtuar edhe kryesuesi i Bordit Këshilldhënës kundër COVID-19,  Lul Raka.

MSh-ja ka dhënë edhe disa arsye se pse u morën sot vendimet nga Qeveria.

“Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, shkalla e morbiditetit (sëmundshmërisë) nga infeksioni COVID-19 është 120/100.000 banorë, kurse shkalla e pozitivitetit të mostrave të testuara është 13.1%. Kjo është arsyeja pse janë ndërmarra disa masa për t’i dhënë më shumë hapësirë veprimtarive të rëndësishme jetësore”, thuhet në njoftim.

“Në bazë të vendimeve të sotme, parimisht, mbesin në fuqi pothuajse shumica e masave të ndërmarra më herët përveç heqjes së orës policore në komunat në “zonën e kuqe”, e cila tashmë si masë nuk ka ndonjë ndikim pozitiv, duke qenë që së fundi në këtë zonë kanë qenë vetëm katër komuna, si dhe kthimi i mësimit me prani fizike në fakultete, duke respektuar Manualin për parandalimin e përhapjes dhe luftimin e COVID-19”, vijon njoftimi i MSh-së.

Ky institucion ka dhënë shpjegim edhe për të gjithë ata persona që hyjnë nga jashtë vendit tonë.

“Pëkundër kësaj, kategorizimi i komunave do të vazhdoj të bëhet edhe më tej bazuar në numrin e rasteve pozitive në 100.000 banorë brenda një jave për të përcjellë ecurinë epidemiologjike sa i përket COVID-19. Sa u përket testeve PCR për ata që hyjnë në Kosovë, kjo masë ka qenë e vendosur edhe më parë dhe nuk është e re, dhe ka vlejtur për të gjithë udhëtarët që vijnë në Kosovë nga shtetet me rrezik të lartë sipas klasifikimit të ECDC-së dhe bazuar në parimin e reciprocitetit.”, thuhet në njoftim.

Zyrtare, Qeveria bën publike masat e reja anti- COVID-19

 

www.kallxo.com