Ministria e Shëndetësisë blen 1 mijë copë syze mbrojtëse

Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 2,500 mijë eurove për pajisje me 1 mijë syze mbrojtëse për mbrojte nga coronavirusi.

Kompania “Neramed & Genius Kosova” është fituese e lotit të nëntë, syze mbrojtëse, në një tender me 10 lote që është shpallur nga Ministria e Shëndetësisë.

Më 17 mars, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tender për furnizim emergjent me pajisje dhe material shpenzues medicinal për mbrojtje nga coronavirusi me një procedurë të negocuar pa publikim të kontratës.

Tenderi i ndarë në 10 lote është nënshkruar me tri kompani të ndryshme, “Neramed & Genius Kosova”, “Made-Kos” dhe “Liri-Med”.

Vlera totale e kontratës së nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë është 351,065 euro.

Përveç syzeve mbrojtëse, Ministria e Shëndetësisë ka blerë edhe çarçafë për një përdorim, mburoja për fytyrë, maska respiratore, veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë L, veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë XL dhe veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë XXL.

Ndërsa nuk ka blerë dezinfektues, termometër infra të kuq për ballë dhe qese për kufoma.

Lotet për blerjen e dezinfektuesve, termometërve infra të kuq për ballë, respektivisht lotet 6 dhe 7 janë anuluar për shkak të tejkalimit substancial të buxhetit. Nëdrsa Loti10, për blerjen e qeseve të kufomave është anuluar për shkak të mungesës së ofertuesve.

Që nga 13 marsi deri më sot, në Kosovë janë shënuar 21 të prekur me coronavirus. Ndërsa në botë numri i të prekurve ka arritur në 246,773. Sipas të dhënave të fundit, numri i personave të vdekur si pasojë e virusit corona ka shkuar në 10,062 kurse i atyre të shëruar në 88,488.

Kina edhe më tutje mbetet shteti me më së shumti të prekur me coronavirus, gjithsej 80,967 por nga ana tjetër është shteti me më së shumti të shëruar nga ky virus, 71,150 persona.

Pas Kinës, shteti me më së shumti të prekur nga virusi corona është Italia. Numri i të prekurve në Itali ka shkuar në 41,035. Italia ia ka kaluar edhe Kinës për nga numri i personave të vdekur nga virusi corona.

Në Itali, numri i të vdekurve ka shkuar në 3,405 përderisa në Kinë, edhe pse ka dyfish më shumë persona të prekur, ka vetëm 3,248 të vdekur.