Insulina - Ilustrim RTK

Ministria e Shëndetësisë anulon dy lote të tenderit për insulina

Ministria e Shëndetësisë ka anuluar përfundimisht dy lote të tenderit për insulina, procedurë e cila kishte nisur në vitin 2020.

Këto lote janë anuluar për shkak se operatorët ekonomikë kishin ofertuar me çmime më të larta se ato të tregut.

“Oferta e OE të rekomanduar për kontratë e dhënë në fillim të 2021 për LOT 3 të këtij aktiviteti, ka çmimin për njësi 4.74 €, ndërsa kontrata e fundit e MSh-së e datës 25.05.2022 për të njëjtin produkt dhe me te njëjtin OE ka qenë 4.60 €. Pas vendimit të OSHP-së, nuk është në kompetencën e AK-MSh për shqyrtimin e Kërkesës për Rishqyrtim e as te pretendimeve ankimore. AK-MSh, e konfirmon Njoftim mbi Vendimin e AK-së të publikuar në platformën e e-prokurimit me datën 12.08.2022 dhe këtë aktivitet të prokurimit e konsiderojmë të mbyllur”- thuhet në vendimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministria në vendimin pë anulim ka thënë gjithashtu se aneksa e operatorit është bërë në fazën tenderuese dhe se sasia e kërkuar ka qenë vetëm për mbulim 6 mujor.

“Duke marrë parasysh se për këtë aktivitet të prokurimit nuk kemi hapje të ofertave, ankesa është bërë në fazën tenderuese, sasia ka qenë vetëm për 6 muaj për shkak të pezullimit të aktivitetit paraprak me sasi 24 muajshe dhe tani është kërkesë e menaxhmentit që t’i kontraktojmë këto produkte për një periudhë më të gjatë 12 – 24 muaj, AK-MSh e anulon këtë aktivitet të prokurimit”- thuhet në këtë vendim.

MSh ka vendosur të anulojë tërësisht këto dy lote për shkak të ndryshimeve të çmimeve në treg për produktet e kërkuara.

Në vendimin e Ministrisë thuhet se oferta e operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë në vitin 2021 për të blerë insulina analoge me veprim të shpejtë ka qenë me çmimin për njësi 4.36 euro, ndërsa kontrata e fundit e MSh-së për të njëjtin produkt dhe me të njëjtin operator ka qenë 4.25 euro.

Më tej në vendim, thuhet se për blerjen e insulinave analoge bifazike (premix) me veprim të shpejtë dhe të mesëm operatori ekonomik kishte ofertuar me 4.74 euro ndërsa kontrata e fundit e MSh-së për të njëjtin produkt dhe me të njëjtin operator ka qenë 4.60 euro. Pra shuma totale e këtyre dy lotëve me kontratën aktuale është 160 mijë e 519 euro ndryshim.

Pas anulimit, Ministria kishte njoftuar operatorët ekonomikë se më nuk është në kompetencën e Ministrisë të shqyrtojë kërkesën për rishqyrtim e as të shqyrtojë pretendimet ankimore.

Lot 1 dhe Lot 3 të këtij tenderi tashmë janë pezulluar për shkak të ankesës në OShP të kompanisë ‘Pharma Leader’ për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me furnizimin me insulina për pacientët në nevojë.

Ky institucion ka deklaruar se për Lot 2 me datën 30 prill 2021 është nënshkruar kontrata me kompanisë “Meditech” me sasinë e paraparë për 24 muaj apo dy vite. Pra, sipas ministrisë kjo kontratë është valide deri në muajin maj 2023.

Tutje në përgjigjen e MSh-së për KALLXO.com thuhet se pas vendimit te MSh-se për anulim të Lot 1 dhe 3, kanë pranuar dy ankesa nga dy ofertuesit dhe lënda përsëri është e pezulluar dhe pritet shqyrtimi nga OSHP.

Më tej, MSh ka dekalruar se aktualisht ka edhe një kontratë të negociuar për fuqnizim disa mujorë.

“Me qëllim të furnizimit të qytetarëve me Insulina Analoge nga LE, Ministria e Shëndetësisë ka proceduar me aktivitetin e negociuar dhe është nënshkruar kontrata për furnizim disa mujor, deri në kontraktimin e rregullt me tender të hapur”, thuhet në përgjigje.

Ministria kishte pritur të marrë vendim për këtë tender derisa ësht funksionalizuar bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili kishte hedhur poshtë ankesat e mbi 800 operatorëve me arsyetimin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për shqyrtimet e tyre.

Në Lotin e parë të këtij tenderi MSh ka planifikuar të blejë 262 mijë e 552 insulina analoge me veprim të shpejtë në vlerë prej 1 milionë e 239 mijë e 245 euro kurse për Lotin e tretë MSh ka planifikuar të blejë 940 mijë e 276 insulina analoge bifazike (premix) me veprim të shpejtë dhe të mesëm në vlerë prej 4 milionë e 851 mijë e 824 euro.

Ministria e Shëndetësisë në muajin dhjetor 2020 kishte filluar planifikimet për blerjen e insulinave analoge në vlerë prej mbi 7 milionë euro.

Kjo blerje ishte planifikuar në mënyrë që të furnizoheshin me insulinë institucionet shëndetësore kurse vlera e përgjithshme e parashikuar e tri Loteve për 24 muaj është 7,024,056.00 euro.

Ministria e Shëndetësisë kishte nënshkruar kontratë për Lot 2 me kompaninë ‘Meditech’ për blerjen e 140 mijë e 510 insulinave analoge me veprim të zgjatur për të cilin lot ministria kishte planifikuar të shpenzonte 932 mijë e 986 euro.