Ministria e Pushtetit Lokal mirëpret vlerësimin në raportin e progresit të KE-së

Ministria e Pushtetit Lokal ka bërë të ditur se Granti i Performancës Komunale sot ka marrë notë pozitive në vlerësimin e Komisionit Evropian.

Raporti për Kosovën i publikuar në faqen zyrtare të KE-së nënvizon se krijimi i Grantit të Performancës Komunale nga MPL-ja, i cili vendos rregulla të shpërndarjes së grantit pa ndikim të politikës, është një hap i mirëpritur.

“Ministritë e tjera duhet të zhvillojnë skema të shpërndarjes së granteve në bazë të rregullave të drejta dhe transparente”, thuhet në raport.

Sipas ministrisë, ky vlerësim përbënë motiv shtesë për të vazhduar me vlerësimin e drejtë të performancës së komunave, zbatimin strikt të Rregullave të Grantit të Performancës Komunale si dhe ndarjen e shpërblimeve sipas meritës, për të përmirësuar shërbimet për qytetarë.

”MPL falenderon gjithë partnerët që kontribuan në krijimin e skemës së Grantit të Performancës Komunale: Ambasadën e Zvicres në Kosovë (SDC-në dhe projektin DEMOS), Ambasadën Norvegjeze dhe Ambasadën Suedeze”, thuhet në njoftim.