Ministria e Punëve të Jashtme jep detaje për udhëtarët e aksidentuar në Serbi, falënderon autoritetet për ndihmën e dhënë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se udhëtarët nga Kosova të aksidentuar mbrëmjen e kaluar në Krushevc të Serbisë, kanë vazhduar udhëtimin e tyre pas marrjes së trajtimit mjekësor.

Sipas tyre, përjashtim bënë vetëm një udhëtare e cila me vetëdëshirë ka pritur transport privat.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton opinion publik se qytetarët e aksidentuar në mbrëmjen e së martës në Krushevc të Serbisë, të cilët po udhëtonin tranzit me autobusë drejt Sllovenisë, kanë vazhduar udhëtimin e tyre pas marrjes së trajtimit mjekësor me përjashtim të një udhëtareje, e cila me vetëdëshirë është në pritje të transportit privat”, thuhet në njoftim.

MPJD-ja tutje potencon se  përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd ka komunikuar me autoritetet për ngjarjen dhe për të lënduarit dhe zyrtarët nga Zyra  Ndërlidhëse e Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Tutje, nga ministria bënë të ditur se  zyrtarët nga Kosova i kanë vizituar të lënduarit edhe në Qendrën Spitalore.

Nga ministria potencojnë se në autobus kanë qenë 78 udhëtarë, prej tyre 16 kanë marr trajtim mjekësor.

MPJD gjithashtu ka falënderuar autoritetet në vendin e ngjarjes për ndihmën e ofruar.

“Nga komunikimi me Qendrën Spitalore ku ishte ofruar ndihma e parë, si dhe nga vizitat dhe bashkëbisedimi me të lënduar, në autobus me rastin e aksidentit kanë qenë 78 udhëtarë dhe prej tyre 16 kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve. MPJD-ja falënderon autoritetet në vendin e ngjarjes për asistencën dhe trajtimin mjekësorë të të lënduarve”,  thuhet tutje në njoftim.

 

Aksidentohet një autobus i Kosovës në Serbi, ka të lënduar