Ministria e Punëve të Jashtme i reagon asaj të Rusisë për reciprocitetin me Serbinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kundërshton reagimin e Ministrisë homologe të Federatës Ruse mbi vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave graduale të reciprocitetit në raportet ndërshtetërore me Serbinë.

KALLXO.com raportoi sot se Ministria e Punëve të Jashtme ruse e ka quajtur Kurtin demagog, derisa kanë deklaruar se Kosova po e detyron Serbinë që ta njeh Kosovën përmes reciprocitetit.

Ministria e cila udhëhiqet nga Glauk Konjufca ka thënë se masat reciproke të Kosovës janë vetëm pasqyrim i pengesave dhe barrierave të shumta që Serbia ka vendosur ndaj shtetit të Kosovës.

“Republika e Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, e vendosur për raporte të mira me të gjithë fqinjët e vet. Në këtë kontekst, edhe marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi parimin reciprocitetit, si e vetmja formë legjitime e ndërtimit të raporteve të barabarta ndërshtetërore”, thuhet në reagimin e MPJD.

Sipas tyre, Kosova ende nuk ka filluar të zbatojë gamën e gjerë të pengesave që Serbia aplikon ndaj Kosovës,”duke i ofruar mundësi Serbisë të reflektojë dhe t’i heqë barrierat dhe pengesat ndaj Kosovës”.

“Marrëdhëniet mes shteteve tona nuk mund të normalizohen në mënyrë të njëanshme, por duhet të pasqyrojnë vullnetin reciprok të të dyja palëve. Kosova ka dëshmuar vullnetin e saj për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq tani i mbetet Serbisë t’i heqë barrierat dhe ta ndalë agresionin diplomatik ndaj Kosovës”, vijon komunikata për media e MPJD-së.

Në mesnatën e 1 prillit ka hyrë në fuqi heqja e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës dhe zëvendësimi i saj me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë, nga Qeveria në detyrë në krye me Albin Kurti.

Rusia reagon për reciprocitetin, e quan Kurtin demagog