Lirimi i rrugëve, Foto: Ministria e Punëve të Brendshme

Ministria e Punëve të Brendshme tregon intervenimet që janë bërë pas vërshimeve

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se pas ndërprerjes së reshjeve të shiut, situata është më stabile dhe ajo është e angazhuar dhe në dispozicion të plotë për veprim.

“Ministria e Punëve të Brendshme përmes Qendrës Operative Emergjente, mbetet e angazhuar të sigurojë rrugët kryesore dhe alternative të qarkullueshme, përmes AME-së dhe në koordinim me Ndërmarrjet Publike, të sigurojë ujë të pijes, si dhe të plotësojë nevojat të tjera të mundshme të qytetarëve nga zonat e vërshuara” – thuhet në komunikatën e MPB-së.

Ministria tregon që institucionet relevante kanë intervenuar në dy lokacione në Skenderaj, në 4 lokacione në Mitrovicë dhe janë siguruar cisterna për ujë të pijes në këto dy komuna sipas kërkesave.

Ndërkaq në Klinë, në disa lokacione ka filluar intervenimi me pompa për largimin e ujit dhe varësisht kërkesave do të vazhdojë edhe në zonat tjera të kësaj komune.

MPB ka apeluar për kujdes të shtuar dhe në rast nevoje për komunikim me institucionet relevante mund ta kontaktoni përmes numrave emergjent: 112, 192, 193 dhe 194.

Për më shumë informacione në lidhje me vërshimet, lexoni në këtë LINK.

Foto: MPB
Foto: MPB