Ministria e Punëve të Brendshme njofton operatorët ekonomik që nuk ka kufizim të lëvizjes

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP) ka njoftuar të gjithë operatorët ekonomik se sot, nga ora 10:00 deri në ora 18:00, nuk ka kufizim të lëvizjes për punonjësit dhe administratën e operatorëve ekonomik.

“Njoftohen të gjithë operatorët ekonomik të fushë veprimtarisë,  të cilëve u është e lejuar qarkullimi dhe në bazë të vendimit të Qeverisë me numër: 1/15 të datën 23.03.2020, si dhe me urdhëresë të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike(MEPTINIS), të datës 23.03.2020, rreth klasifikimit të veprimtarive ekonomike, sipas kodeve NACE, që sot me datën 25 mars nga ora 10:00, deri në 18:00 nuk ka kufizim të lëvizjes për punonjësit dhe administratën  e këtyre operatorëve”, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie.

Gjithashtu, Ministria ka njoftuar se sot gjatë ditës përmes një konference për media do të qartësojë dhe ofrojë udhëzimet se si do të rregullohet funksionimi i veprimtarive ekonomike dhe lëvizjes së punonjësve të tyre gjatë masave të aplikuara.

Para dy ditëve, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kufizimin e lëvizjes nga ora 10:00 deri në orën 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00, si masë parandaluese për përhapjen e coronavirusit.