Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë thirrje serbëve për regjistrim të automjeteve me targa RKS

Shefja e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Jeta Tela, ka vizituar sot Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Veri të Kosovës. 

Pas kësaj vizite, Ministria e Punëve të Brendshme ka ftuar qytetarët që janë pronarë të veturave me targa që lëshohen nga Serbia e që konsiderohen ilegale në Kosovë, që t’i konvertojnë ato në RKS.

“Të gjitha përgatitjet operacionale ishin gati dhe me këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë të regjistrojnë veturat e tyre në QRA-të përkatëse, duke përfituar nga lehtësirat e parapara në këtë proces i cili do të zgjas deri me datën 31 tetor të këtij viti” – thuhet në njoftim. 

Nga 1 shtatori ka filluar procesi i regjistrimit të veturave me targa ilegale në ato RKS. Ky proces do të zgjas deri më 31 tetor 2022. Nga MPB është thënë se qytetarët që do t’i konvertojnë targat në RKS do të kenë lehtësira tatimore. Po ashtu, procesi thuhet se nuk do të zgjas më shumë se 2 minuta.

Regjistrimi i veturave me targa RKS mund të bëhet në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve.