Ilustrim

Ministria e NISMA-s krijon monopol të ri në tregun e naftës

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e ka paraparë krijimin e një monopoli të ri. Ky udhëzim administrativ ka paraparë që MTI-ja të kontraktojë në operator të vetëm për shënjimin (markimin) e karburanteve për një periudhë prej 5 viteve, me mundësi vazhdimi edhe për 5 vite të tjera.

Ky akt nën-ligjor është nxjerrë nga ministri Vesel Krasniqi në nëntor të vitit 2020 dhe përmes tij është paraparë që të bëhet shënjimi i karburanteve të lëngëta përmes të cilit vërtetohet që karburantet janë verifikuar në aspektin e cilësisë dhe kanë përmbushur obligimet doganore dhe ato të akcizës. Nxjerrja e këtij udhëzimi është bërë përkundër faktit që në Ligjin për Naftës nuk është paraparë fare shënjimi. Shënjimi është paraparë vetëm në Kodin Doganor.

Përmes shënjimit të karburanteve MTI do të sigurohet që cilësia e karburanteve është e verifikuar dhe i ka kryer obligimet doganore. Kjo bëhet duket u injektuar karburantet e lëngëta të naftës me produktin unik dhe të posaqëm për shënjim, përmes të cilit vërtetohet që karburantet janë verifikuar në aspektin e cilësisë dhe kanë përmbushur obligimet doganore dhe ato të akcizës.

Në nenin 54 ku flitet për shënjimin e karburanteve është paraparë kontraktimi i një trupe që do ta kryej shënjimin e këtyre produkteve.

Pika 17 e këtij neni ka paraparë kontraktimin e një trupe për terë territorin e Kosovës.

“MTI do të autorizojë dhe kontraktojë vetëm një (1) trupë për territorin e Republikës së Kosovës për Shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës dhe të monitorimit të shënjimit, kjo me qëllim të sigurimit të uniformitetit të monitorimit të shënjimit të produkteve në tërë Republikën e Kosovës dhe të identifikimit dhe të monitorimit të të gjitha produkteve të lëngshme të naftës”, thuhet në pikën 17 të nenin 54.

Kurse pika 15 e ka përcaktuar kohëzgjatjen e autorizimit si dhe kushtet për vazhdim të autorizimit.

“Afati i vlefshmërisë së emërimit dhe angazhimit kontraktual të trupës apo palës së kontraktuar për shënjim dhe monitorim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës është pesë (5) vite me mundësi vazhdimi. Për vazhdimin e emërimit dhe angazhimit trupi apo pala e kontraktuar për shënjim paraqet kërkesë 60 ditë para skadimit të afatit të emërimit duke përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret paraprake nga aspekti teknologjik dhe operacional”, thuhet në pjesën e parë të pikës 15.

Në këtë udhëzim është paraparë që koston e shënjimit do ta bartin bizneset.

“Shpenzimet e krijuara gjatë procesit të shënjimit dhe monitorimit mbulohen nga Subjekti i cili i është nënshtruar këtij procesi”, thuhet në pikën 19 të nenin 54 të këtij UA.

Sipas Udhëzimit Administrativ kontraktimi i operatorit që do ta bëjë shenjëzimin e produkteve të lëngëta të naftës do të bëhet përmes një procesi konkurrues dhe transparent.

Për këtë qëllim në dhjetor të vitit 2020, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë bëri ftesë publike për të gjithë operatoret ekonomik të interesuar që të aplikojnë për tu autorizuar si trupë e shënjimit të produkteve të lëngëta.

Në këtë ftesë janë përcaktuar edhe kriteret të cilat duhet ti plotësojnë aplikuesit mirëpo sipas udhëzuesit vetëm njëri nga ta do të zgjedhet si trupa për shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës për pesë vite në Kosovë.