Ministria e Mjedisit tejkaloi vlerën e kontratës mbi 6 mijë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë vitit 2019 ka gjetur se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka tejkaluar një kontratë në një shumë prej më shumë se 6 mijë euro.

Këtë veprim të ministrië, Auditori e klasifikoi si të jashtëligjshme.

“Në rast se kontrata publike kornizë lidhet për më pak se tridhjetë e gjashtë (36) muaj, ajo nuk mund të zgjatet mbi afatin e përcaktuar, pa zhvilluar procedurat e reja të prokurimit. Kjo do të thotë se kohëzgjatja e kontratës publike kornizë duhet të përcaktohet që në fillim të procesit të prokurimit”, citohet Ligji i Prokurimit mbi lidhjet e kontratave.

“Mospërputhja e lejuar nuk mund të jetë më e lartë se plus/minus tridhjetë përqind (30%). Nëse urdhër-blerjet tejkalojnë sasinë totale indikative ose vlerën totale indikative të kontratës publike kornizë (duke përfshirë + tridhjetë përqind (30%) pa marrë parasysh datën origjinale të Kontratës Publike Kornizë, kontrata do të ndërpritet automatikisht”, thuhet tutje në shpejgimet që ka dhënë Auditori në raportin për vitin 2019 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Gjatë vitit 2019, qeveria e Kosovës udhëhiqej nga Ramush Haradinaj ndërsa ministër në MMHP ishte Fatmir Matoshi i AKR-së.

“MMPH me datën 12.07.2016, kishte lidhur kontratën publike kornizë “Furnizim me toner për nevojat e ministrisë. Vlera e kontratës ishte 44,953€. Ne kemi identifikuar se MMPH gjatë periudhës 2016-2019 kishte bërë furnizime në vlerë 64,814€, duke bërë tejkalimin e vlerës së kontratës për 6,375€5 mbi normën e lejuar 30%”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, kjo ka ardhur si  rezultatit i një mbikëqyrje të dobët të ecurisë së realizimit të kontratës nga menaxheri i kontratës.

“Tejkalimi i kontratës mbi normën e lejuar mund të ndikojë që organizata buxhetore të hyjë në obligime financiare të pa planifikuara”, thuhet në raport.

Auditori rekomandon që ministri duhet të sigurojë se menaxherët e kontratave mbikëqyrin në vazhdimësi ecurinë e realizimit të kontratave, në mënyrë që të parandalohen tejkalimet e furnizimeve. Në rastet kur tejkalimi i kontratës arrin shkallën 30% kontrata duhet të ndërpritet menjëherë.