Ministria e Mjedisit i përgjigjet komunës së Prishtinës për ndërtimet e planifikuara afër Badovcit

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes një komunikate ka dhënë sqarime të tjera rreth ndërtimit të planifikuar në afërsi të Liqenit të Badovcit.

MMPH përmes komunikatës ka thënë se asnjëherë nuk e ka obliguar Komunën e Prishtinës të japë kushtet ndërtimore për investitorët dhe të veprojë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Në komunikatë MMPH thotë se ka obliguar Komunën e Prishtinës të veprojë sipas katër dokumenteve.

Planit Zhvillimor Komunal i cili është në fuqi, Vendimit të Qeverise se Kosovës Nr. 16/127 dt. 24 02 2013 i për Përcaktimin e Zonave Mbrojtëse te burimit Ujor përreth Liqenit të Badovcit; Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe Udhëzimit Administrativ MMPH 06/2017- Për Përcaktimin e Procedurave për Përgatitjen dhe Shqyrtimin e Kërkesave për Kushtet Ndërtimore dhe Lejen Ndërtimore dhe Leje rrënimi për Kategorinë e I dhe te II të ndërtimeve.

Më tej në komunikatë MMPH ka bërë të ditur se tashmë ka dërguar inspektorët në komunë për të verifikuar nga afër dokumentet e lëshuara nga Komuna e Prishtinës për investitorët KAWA GROUP, 4M Group si dhe një Rrahman Haredinit.

“Këto dispozita ligjore përcaktojnë kriteret dhe mënyrën e shqyrtimit të kushteve ndërtimore me ç ‘rast Komuna ka qenë e obliguar që të veproj sipas dispozitave ligjore në fuqi si:

Vendimit të Qeverise së Kosovës Nr.16/127 dt. 24 02 2013 i për Përcaktimin e Zonave  Mbrojtëse të Burimit Ujor përreth Liqenit të Badovcit (nenit 7 dhe nenit 13 pika 8 dhe 9).

Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe Udhëzimit Administrativ MMPH 06/2017 Për Përcaktimin e Procedurave për përgatitjen dhe shqyrtimin e kërkesave për kushtet ndërtimore dhe lejen ndërtimore dhe leje rrënimi për Kategorinë e I dhe të II të ndërtimeve (nenit 11 paragrafi 1 shtojca 1 pika 6b)”, thuhet në komunikatën e MMPH.

Për më tepër MMPH ka thënë se me datën 13.01.2020 i kanë dërguar shkresë komunës së Prishtinës përkatësisht Kërkesë për informim lidhur me rastin në fjalë me të cilën kërkon sqarim rreth shqetësimit të qytetareve dhe mediave lidhur me iniciativën e projektit, por komuna edne nuk ka kthyer përgjigje.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.