Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Mbrojtjes zbret për 1.5 milion euro shpenzimet në prokurim

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se ka rishqyrtuar planifikimet në fushën e prokurimit dhe financave për këtë dikaster.

Mehaj ka thënë se vlera e ri-aranzhuar është 1.5 milionë euro ndërsa pritet të rishikohen edhe rreth një milionë euro të tjera.

“Aktivitetet e planifikuara të cilat kishin në fokus reprezentacionin, shpenzimet për mirëmbajtje të automjeteve, shpenzimet për blerjen e automjeteve dhe shpenzimet e marketingut, janë ri-aranzhuar me qëllim të vënies së fokusit në nevojat operacionale dhe blerjeve ushtarake për FSK-në”, bënë të ditur ministri.
Me ketë shumë të kursyer Ministria e Mbrojtjes do të blej autobusë të rinj për të krijuar lehtësi për të gjithë pjesëtarët e FSK-së.

Ndërkaq, Mehaj ka njoftuar se vitin ardhshëm planifikojnë të blejnë pajisje ushtarake përmes blerjeve ushtarake, “shtet me shtet” dhe programit amerikan FMS.

“Të njëjtat ndryshime do të reflektohen në procesin e rishqyrtimit buxhetor për vitin 2021, ndërsa për periudhën e ardhshme të planifikimit buxhetor në vitin 2022, ku buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes është rritur në vlerën 106 milion €, do të jetë në fokus blerja e pajisjeve ushtarake për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së. Blerjet ushtarake ekskluzivisht do të bëhen përmes programeve për blerje ushtarake “shtet me shtet” dhe programin amerikan FMS për të siguruar maksimizim të shpenzimeve buxhetore përmes një procesi kredibil dhe transparent”, thuhet në postimin e Mehajt, bërë në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.