Forca e Sigurisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Ministria e Mbrojtjes tregon pse u vonua konkursi për rekrutim të ushtarëve të rinj të FSK-së

Më 11 nëntor 2022, gjatë betimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kishte premtuar që më 28 nëntor të këtij viti do hapej konkursi për rekrutim të ushtarëve të tjerë.

Ky premtim nuk ishte mbajtur.

KALLXO.com u ka dërguar pyetje zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes për të kuptuar pse nuk u mbajt premtimi. Por, deri më sot nuk ka pranuar përgjigje.

Arsyen Ministria e ka treguar përmes një njoftimi publik.

Ministria e Mbrojtjes ka thënë se për shkak të procedurave administrative, pas miratimit të tri ligjeve themelore të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në publikimin në Gazetën Zyrtare, është shtyrë data e shpalljes së konkursit për rekrutimin e ushtarëve të rinj.

Këto tri ligje, sipas Ministrisë, do të hyjnë zyrtarisht në fuqi më 15 dhjetor 2022.

Ministria thekson se konkursi do të jetë i hapur një muaj, nga 15 dhjetor 2022 deri më 15 janar 2023.

Po ashtu, Ministria tregoi se përmes këtij konkursi do të pranohen 612 ushtarë të rinj aktivë dhe 367 ushtarë të komponentës rezervë.

“Të drejtë të aplikimit do të kenë të gjithë të rinjtë e të rejat nga mosha 18-25 vjeç” – u tha tutje në njoftim.

Ministria në njoftim ka bashkëngjitur edhe një video që përmban udhëzimet për mënyrën e aplikimit dhe secilën fazë të testimit.