Foto: Ministria e Mbrojtjes/Facebook

Ministria e Mbrojtjes: SHBA përkrah anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ministria e Mbrojtjes ka thënë se zëdhënësi i misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Jeffrey Adler, ka shprehur haptazi se SHBA përkrah anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Sipas Ministrisë, Adler ka përkrahur Kosovën në iniciativën për t’u bërë anëtar i programit të Partneritetit për Paqe, si hap iniciues drejt anëtarësimit në NATO.

Përmes një postimi në Facebook, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se SHBA është ndër partnerët e ngushtë dhe të pazëvendësueshëm në të gjitha proceset zhvillimore të Republikës së Kosovës.

Tutje është thënë se përkrahja e Adler ka dëshmuar se Kosova konsiderohet partner i besueshëm i SHBA-së.

“Defender Europe ’23, bashkëzbarkimet si misione të përbashkëta, janë rruga jonë drejt qëllimeve tona përfundimtare, anëtarësimin në institucione evropiane dhe euroatlantike”, është thënë në njoftim.

Ministria e Mbrojtjes ka shtuar se Kosova është e përgatitur për të thelluar partneritetin dhe aleancën e cila shtrihet në shumë fusha, bazuar mbi vlerat e përbashkëta me SHBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Foto: Ministria e Mbrojtjes/Facebook