Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe Shqipërisë nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi.

Pas takimit të dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen e re të bashkëpunimit bilateral në mes të dy ministrive.

Në adresimin para mediave, ministri Mehaj, shprehu falenderimin për Republikën e Shqipërisë për mbështetjen vëllazërore të ofruar në të gjitha periudhat e ndërtimit, zhvillimit si dhe në të gjitha të arriturat e deritashme të vendit, sikur edhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Sipas komunikatës për media, ministri Mehaj ka shprehur mirënjohjen e lartë për rolin dhe kontributin e madh të shtetit shqiptar, si vend anëtar i NATO-s, në sigurinë e përgjithshme të rajonit dhe më gjerë me pjesëmarrjen në operacionet paqeruajtëse.

“Ai theksoi edhe rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Forcat e Armatosura të saj, duke pasur parasysh përvojën e madhe në procesin e integrimeve euroatlantike dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi. Në vazhdim, ministri Mehaj njoftoi me përmbajtjen e marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral dhe fushat kryesore të saj”, thuhet në komunikatë.

Homologu shqiptar, Peleshi ka falënderuar ministrin Mehaj për mirëpritje dhe e ka përgëzuar, për të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

“Ai në vazhdim shprehu interesimin e tij për intensifikimin e angazhimeve për implementimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes dy ministrive dhe shprehu zotimin e tij për angazhimin dhe përkushtimin maksimal për të mbështetur vizionin e ministrit Mehaj në planin politik, diplomatik dhe atë ushtarak për të ardhmen”, thuhet tutje aty.

Në fund, ministri Peleshi ftoi ministrin Mehaj për vizitë zyrtare në Tiranë me fokus në fuqizimin edhe më tej të përkushtimit dypalësh për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të përbashkëta ndërministrore dhe ndërushtarake.