Ilustrim - Ushtria- FSK

Ministria e Mbrojtjes pritet t`i shpenzojë 410 mijë euro për automjete ushtarake në 2021-ën

Ndonëse është ende draft dhe ende nuk e ka marrë dorën përfundimtare për t`u bërë më pas ligj, mirëpo si i tillë, Projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, respektivisht, Ministria e Mbrojtjes në kuadër të projekteve të reja kapitale për vitin 2021, ka paraparë edhe blerjen e automjeteve taktike/blinda.

Këto mjete taktike, dikasterit të mbrojtjes në Kosovës pritet t’i kushtojnë 410 mijë euro.

Bazuar në këtë Projektligj, shpenzimet në projekte kapitale sivjet nga Ministria e Mbrojtjes ishin në vlerën e 70.1 milionë euro, ndërsa nga 2020-ta për vitin 2021 do të vazhdohen projekte në vlerën e 28.8 milionë euro, përderisa projekte të reja për vitin 2021 pritet të jenë mbi 1 milion euro projekte.

Me datën 30 të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës, në krye kryeministrin Avdullah Hoti ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Në mbledhjen e Qeverisë, shefja e kuletës së shtetit, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se shpenzimet buxhetore do të jenë rreth 2.4 miliardë euro.

“Ekonomia për vitin 2021 pritet të rritet me 5.1%. Gjatë 2021 pritet një dinamikë më e shpejtë e investimeve publike. Gjatë vitit duhet të rifanciojme 162 milionë për borxhin aktual. Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të jenë rreth 2 milardë e 400 mijë euro. Shpenzimet për paga pritet te jenë 625 milionë euro”, citohet të ketë thënë ministrja Bajrami.