Ministria e Mbrojtjes nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Mbretërinë e Bashkuar

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar. Nënshkrimi është bërë nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ndërsa memorandumi ka për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes në disa fusha.

Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se, ky memorandum bashkëpunimi ka për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes në zbatimin e reformave në proceset e tij të prokurimit për të siguruar ofrim të mirë-menaxhuar dhe efikas të shërbimeve publike.

Në njoftim theksohet se ky memorandum ka për qëllim rritjen e efikasitetit të sektorit publik dhe rivendosjes së besimit të qytetarëve përmes proceseve të mirë-menaxhuara, transparente, të drejta dhe efikase të prokurimit.

Memorandumi i nënshkruar sot është një ndër marrëveshjet e shumta me Mbretërinë e Bashkuar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në kuadër të partneritetit të fuqishëm me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.