Foto: Ministria e Mbrojtjes/Facebook

Ministria e Mbrojtjes nderon me medalje atasheun ushtarak në ikje të Shqipërisë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, pritën në takim lamtumire atasheun ushtarak të Shqipërisë, kolonelin Eduart Bala, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Kosovë.

Në takim të pranishëm ishin edhe zëvendësministri Enver Dugolli dhe sekretari i përgjithshëm Faruk Geci, si dhe oficerë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë dhe FSK-së.

Në fillim, ministri Quni dhe gjeneral Rama falënderuan kolonelin Bala për kontributin e çmuar dhe profesional në thellimin e bashkëpunimit mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Më pas, ministri Quni, në shenjë falënderimi për angazhimin e madh gjatë shërbimit të tij në Kosovë, kolonelit Bala i dha medaljen “Për shërbim të shquar”.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, si shenjë mirënjohjeje i dha medaljen “Për shërbim vetëmohues”.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi falënderoi ministrin Quni dhe gjeneralin Rama për pritjen dhe bashkëpunimin e dyanshëm në mes të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Ushtrisë së Kosovës.

Ai, gjithashtu premtoi vazhdimin dhe ngritjen e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të veçantë për të dyja ushtritë.

Ndërkaq, atasheu ushtarak, koloneli Bala, shprehu falënderimin e tij, për ministrin, komandantin dhe stafin e Ministrisë dhe të FSK-së, për pritjen e ngrohtë dhe bashkëpunimin e ngushtë gjatë shërbimit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.