Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës – 12.06.2024 Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Ministria e Mbrojtjes: E vetmja gjë që po përballemi është mungesa e stafit teknik

Ministria e Mbrojtjes të Kosovës ka reaguar përsëri në lidhje me shujtat e ushtarëve të FSK-së.

Ata thonë se e vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë.

Sipas tyre, e vetmja gjë me të cilën po përballen është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët, “veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”.

Ministra thotë se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash.

Sipas ministrisë, po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale në lidhje me ushqimin për ushtarët.

“Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”- shkruan në reagim.

Ndërsa në lidhje me një letër që po qarkullon në media, Ministria ka thënë se letra drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nga Komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vet-qëndrueshmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi.

“Përgjatë kësaj periudhe kalimtare do të ndërmerren masat për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të këtij shërbimi. Ushtarakët nuk do të mbesin pa ushqim, këtë ua garantojmë pjesëtarëve të FSK-së”- shkruan në njoftim.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se që nga viti 2015 e deri më tani për dhjetë herë radhazi janë nënshkruar kontrata emergjente për ushqim për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me situatë të njëjtë, ku kontrata për ushqim për FSK-në përfundoi, kjo Ministri u përball edhe gjatë këtij muaji.

Ushtarakët e Kosovës aktualisht janë duke u ushqyer nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Maqedonci: Për 9 vjet, 10 herë janë nënshkruar kontrata emergjente për ushqim të FSK-së