Ministria e Kulturës tregon për borxhet e QKK-së ndaj produksioneve filmike

Mbi 100 mijë euro u ka borxh Qendra Kinematografike e Kosovës produksioneve filmike në vend. 96 mijë janë borxhe të akumuluara vetëm gjatë këtij viti.

Këto të dhëna, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i bëri publike të mërkurën gjatë debatit për kinematografinë të mbajtur nga ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku me kineastët kosovarë.

Shefja e kabinetit të ministrit të Kulturës, Klodeta Krasniqi ka thënë gjatë debatit se borxhet e QKK-së për këtë vit arrijnë shumën prej 96 mijë euro, ndërsa 22 mijë për vitet e kaluara.

“Sipas të dhënave të fundit, deri në premten, obligimet e QKK-së ndaj produksioneve filmike nga vitet e kaluara janë 22 mijë euro, këtu janë 4 lëndë të pakompletuara. Ndërsa, për këtë viti, 2021, janë 96 mijë euro obligime të QKK-së ndaj produksioneve”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, Zyra Kombëtare e Auditorit ka konstatuar në Raportin për pasqyrat vjetore financiare të MKRS-së, se vlera e obligimeve të kontraktuara të krijuara nga QKK deri në fund të 2020 kap totalin prej 2,414,032.00 eurove.

Borxhet e akumuluara nga QKK-ja janë edhe ndër arsyet që Këshilli Drejtues i QKK-së inicioni shkarkimin e drejtorit të QKK-së, Arben Zharku.