Ministria e Kulturës, thirrje për mbështetje të projekteve kulturore për 2021

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka sot hapur thirrje për mbështetje të projekteve kulturore të skenës së pavarur për 2021.

Përmes kësaj thirrje, MKRS do të mbështes projektet e OJQ-ve dhe individëve, programi i të cilave është i fokusuar në fushën e kulturës.

Shuma maksimale që do të ndajë ministria një projekt fitues nga kjo thirrje është 20 mijë euro, ndërsa minimalja 5 mijë euro.

“OJQ-të dhe individët, në përputhje me këtë ftesë publike mund të aplikojnë me projektet/programet e tyre për promovimin e kulturës, në fushat: kinematografi, teatër, muzikë, arte vizuele, industri kreative, diversitet kulturor, diplomaci kulturore, aktivitete letrare, bibliotekari”, thuhet në njoftimin e MKRS për mbështetje të projekteve kulturore të skenës së pavarur për 2021.

Sipas thirrjes, afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është deri më 4 mars 2021.

Në thirrje, e cila është postuar edhe në webfaqen e MKRS, janë dhënë edhe kriteret që duhet të plotësojnë OJQ-të apo individët për përfitimin e fondeve publike për realizimin e projekteve të tyre.

Po sipas thirrjes, OJQ-të dhe individët mund të aplikojnë vetëm me një (1) projekt në kuadër të kësaj ftese publike. Periudha e zbatimit të projektit është më së largu deri me 31 dhjetor 2021.