Foto: Kallxo.com

Ministria e Kulturës shpërndan nga 210 tituj të rinj për 37 bibliotekat komunale

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpërndarë sot nga 210 tituj të rinj librash për 37 bibliotekat komunale të qyteteve të Kosovës.

Librat e botuara nga botues kosovarë janë blerë nga MKRS përmes konkursit publik për nevojat e bibliotekave publike.

Ceremonia e dorëzimit të këtyre titujve është mbajtur sot në Bibliotekën Kombëtare, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e Kulturës, ka thënë gjatë ceremonisë se ministria do të shpërndaja libra edhe në komunat e Luginës së Preshevës.

Ajo theksoi se komuna duhet të bëjnë më shumë për të ndarë fonde për furnizimin e bibliotekave të tyre.

“Ne sivjet kemi bërë një memorandum me Asociacionin e Komunave të Kosovës, përmes së cilit do të jemi më afër me drejtorët komunal dhe kërkesat e tyre të vijnë drejtpërdrejt tek ministria, qoftë për librin, trashëgiminë e kulturën”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Ndërsa, Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS-së, ka thënë se ministria ndjek një politikë dyfish të financimit të veprimtarisë botuese.

“Këto  libra që po i shpërndajmë, fillimisht ministria i mbështetë për botim, pastaj i blenë përmes konkurseve publike dhe më pas i shpërndajmë tek biblioteka komunale. Pra, është një lloj i subvencionit të dyfishtë të librit”, ka thënë Shyti.

Kurse, Munish Hyseni, drejtor i Bibliotekës së Qytetit të Prishtinës, “Hivzi Sulejmani” ka thënë se botuesi duhet të kontaktojnë me bibliotekat kosovare për të mësuar për kërkesat dhe nevojat për librin që kanë bibliotekat.

Foto: Kallxo.com