MKRS. Foto: Isa Vatovci/KALLXO.com.
Ministria e Kulturës pagoi mbi 153 mijë euro në kategori ekonomike jo adekuate gjatë vitit 2023
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjatë vitit 2023 ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë prej 135,322 euro në kategori ekonomike jo adekuate.
Sipas raportit të ZKA-së për pasqyrat vjetore financiare të MKRS-së për 2023, pagesa në vlerë 87,279 euro “Pajisje me programin Archicad 26 për MKRS dhe institucionet vartëse”, e cila për nga natyra i takon kategorisë investime kapitale ishte ekzekutuar nga kategoria mallra dhe shërbime.
Ndërkaq pagesa në vlerë 19,895 euro “Furnizim me server për nevoja të BKK-së’’, e cila për nga natyra i takon kategorisë investime kapitale ishte ekzekutuar nga kategoria mallra dhe shërbime.
“Pagesat në vlerë 28,148€, ishin ekzekutuar nga Thesari sipas Vendimeve Gjyqësore nga kategori jo adekuate. Prej tyre, pagesa në vlerë 19,840 euro ishte ekzekutuar nga kategoria mallra dhe shërbime, ndërsa i takonte kategorisë investime kapitale, e që kishte të bënte me pagesën e borxhit për kryerjen e punimeve në poligonin sportiv për SHMFU ‘8 Dëshmorët’, dhe vlera 6,691 euro i takon kategorisë paga dhe mëditje, për pagesën e pagave të papaguara. Ndërsa, vlera 1,617 euro që i takon kategorisë mallra dhe shërbime ishte realizuar nga kategoria paga dhe mëditje, e që kishte të bënte me shpenzimet për shfrytëzimin e automjeteve në kategori ekonomike jo adekuate”- thuhet në raport.
Klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve, sipas ZKA-së ishte rezultat i planifikimit jo të duhur ekonomik. Po ashtu, ishte ndikuar nga ekzekutimi i pagesave përmes Thesarit sipas vendimeve të Gjykatës.
ZKA thotë se pagesat e kryera nga kategoritë jo adekuate ekonomike kanë ndikuar në prezantim jo të drejtë të shpenzimeve duke shkaktuar mbivlerësim të kategorisë mallra dhe shërbime dhe paga dhe mëditje, në anën tjetër nënvlerësim të kategorisë investime kapitale.
ZKA i rekomandon ministrisë (MKRS) se duhet të sigurojë se shpenzimet planifikohen dhe realizohen konform kategorive ekonomike adekuate, për të mundësuar raportimin e drejtë të tyre sipas standardeve të kontabilitetit të sektorit publik në përputhje me planin kontabël.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për MKRS-së vitin 2023 mund ta lexoni në këtë LINK.