Ministria e Kulturës nuk ua vazhdon kontratat mbi vepër dhjetëra punonjësve

Dhjetëra persona që deri më tani kanë punuar ose janë duke punuar me kontrata mbi vepër në Ministrinë e Kulturës dhe në institucioneve vartëse të saj do të mbesin pa punë.

Ministria e Kulturës i ka njoftuar të gjithë personat me kontrata mbi vepër, që ndryshe quhen Marrëveshje për shërbime të veçanta (MShV), se Ligji i ri nr. 06/L – 114 për zyrtarët publikë, i cili ka hyrë në fuqi më 11 shtator 2019, pamundëson vazhdimin e kontratave MShV.

Ky Ligj parasheh që institucionet që dëshirojnë të lidhin Marrëveshje për Shërbime të Veçanta duhet të ndjekin procedurat e parapara në Ligjin e Prokurimit, duke hapur tender publik.

Aktualisht në MKRS dhe institucione vartëse janë 56 punëtorë me kontrata mbi vepër.

Në Ministrinë e Kulturës nuk kanë treguar rreth numrit të punëtorëve që nuk u janë vazhduar kontratat.

“Punonjës aktualë me kontratë Marrëveshje për Shërbime të Veçanta janë 56. Për vitin 2019 janë pranuar me kontratë MShV 22 punonjës”, ka thënë Taulant Balaj, udhëheqës i Divizionit për Burime Njerëzore në MKRS.

Sipas Balajt, punonjësit te cilët janë pranuar në vitin 2019 janë sistemuar në: IKMM, Muzeu i Kosovës, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (QRTK)– Mitrovicë, QRTK – Prizren, Baleti Kombëtar i Kosovës, QRTK – Prishtinë, Departamenti i Rinisë, Kulturës, MKRS – Prizren dhe MKRS – Departamenti i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme.

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë marrë një njoftim zyrtar  nga MKRS përmes të cilit u kërkohet që kontratat e punëtorëve të tipit MShV të mos vazhdohen pas skadimit të afatit.

Ai ka thënë se Filarmonia e Kosovës ka 3 punëtorë me kontrata MShV, 2 prej të cilëve tashmë u ka skaduar kontrata.

“Janë tre punëtorë me kontrata MShV, 2 roje të cilëve u kanë skaduar kontratat dhe një me afat deri në janar të vitit të ardhshëm. Duhet gjetur urgjentisht një zgjidhje pasi një situatë e tillë po krijon mjaft probleme. Nuk mund ta lënë institucionin pa roje”, ka thënë Jashari.

Vendimi i MKRS për kontratat për MShV ka prekur edhe Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.

Ismet Hajrullahu, drejtor i IKMM, ka pohuar për KALLXO.com se institucioni që ai drejton ka pranuar njoftimin e MKRS për mosvazhdimin e kontratave të llojit MShV.

Sipas tij, janë  7 punëtorë të IKMM që u ka skaduar afati i kontratave për shërbime të veçanta.

“7 zyrtarë janë që u ka skaduar afati i kontratave MShV. 2 zyrtarë kanë ende afat kontrate. Sa i përket problemit të mosvazhdimit të kontratave, natyrisht IKMM-së i vështirësohet puna jashtëzakonisht shumë, sidomos në fushën arkitekturore ku kemi një numër të konsiderueshëm të projekteve të cilat mbesin të pambuluara dhe çështjeve ligjore, ku pas një muaji i skadon kontrata edhe zyrtarit të vetëm ligjor në IKMM”, ka thënë drejtori Hajrullahu.

Në fillim të kësaj jave, MKRS kishte njoftuar institucionet e saja vartëse që punëtorëve me kontrata të llojit MShV të mos u vazhdohen ato, duke u bazuar në Ligjin e ri për zyrtarët publikë.

Ndërkaq të premten e kaluar MKRS kishte njoftuar se ka anuluar të gjitha konkurset e shpallura pas 2 shtatorit të 2019, sipas rekomandimit të Ministrisë së Administratës Publike.