Ministria e Kulturës nënshkruan memorandum për renovimin e Shtëpisë së Kulturës në Viti

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, sot ka nënshkruar memorandumin për renovimin e Shtëpisë së Kulturës së Vitisë, në të cilin Ministria do të investojë 50 mijë euro në një kohëzgjatje prej dy vitesh.

“I bëj thirrje të gjithë organizatave të pavarura të Vitisë që të aplikojnë në grantet apo subvencionet që i shpall MKRS-ja”, tha Dumoshi.

Sipas saj Vitia ka nevojë shumë për shtëpi moderne dhe funksionale të kulturës dhe theksoi se është e rëndësishme që objektet e të cilat janë ndërtuar shumë vjet më parë të funksionalizohen dhe të vihen në shërbim të kulturës, artit, teatrit, galerisë e bibliotekës si hapësira që do të shfrytëzohen nga njerëzit e artit e të kulturës.

Gjatë vizitës së sotme në Komunën e Vitisë, ministrja vizitoi edhe Shkollën e Parë në fshatin Stubëll e cila sipas dokumenteve daton para pesë shekujve por që nën udhëheqjen e Dom Mikel Tarabulluzit, në vitin 1905 themelohet si shkollë e parë shqipe.