Ministria e Kulturës ndanë 50 mijë euro për fushën ndihmëse në Kaçanik

 

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare për projektin “Fusha ndihmëse në Kaçanik” i cili do të implementohet në këtë vit.

Këtë e ka bërë të ditur Komuna e Kaçanikut përmes një njoftimi.

Në bazë të memorandumit ministria merr përsipër ta përkrahë financiarisht projektin ndërkaq komuna bashkë me MKRS-në do të kujdesen për implementimin e këtij projekti thuhet tutje në njoftimin e Komunës së Kaçanikut.

Në takimin e zhvilluar mes ministres Dumoshi dhe kryetarit të Kaçanikut Besim Ilazi, u bisedua edhe për projektet konkrete që do të implementohen në këtë komunë.

Ministrja Dumoshi tha se është e rëndësishme që në këtë kohë të vështirë projektet të trajtohen sa më me kujdes e me prioritet dhe të cilat i plotësojnë nevojat primare të qytetarëve. Me realizimin e këtij projekti të fushës ndihmëse, sportistët e Kaçanikut do të kenë edhe një hapësirë tjetër ku t’i kryejnë aktivitetet e tyre sportive, shkruan tutje Komuna e Kaçanikut.

Ndërkaq, kryetari i kësaj Komune Besim Ilazi sipas njoftimit e falënderoi ministren për përkrahjen ndaj komunës dhe u shpreh se vazhdimisht MKRS-ja dhe komuna e Kaçanikut kanë pasur një bashkëpunim shumë të mirë.