Ministria e Kulturës flet për ujin e shiut që depërtoi në ambientet e bibliotekës kombëtare

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është prononcuar lidhur me rrjedhjen e ujit brenda bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Gjatë gjithë ditës së sotme uji i shiut ka depërtuar në ambientet e brendshme të bibliotekës.

Dy muaj më parë, konsorciumin “K-ING ShPK & CDC ShPK” ka nisur renovimin e kulmit të bibliotekës kombëtare të Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, MKRS ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me kontraktuesin e punimeve.

Sipas MKRS, punëkryesi planifikon edhe masa shtesë për shkak të përkeqësimit të motit për të parandaluar depërtimin e ujit në hapësirat e bibliotekës.

“Duhet të kuptohet se kulmi është në proces të punimeve, është bërë demolimi i shtresave të vjetra e të dëmtuara deri në pllakën e betonuar , është bërë vendosja e shtresave deri te shtresa për rënie – estrihu, dhe nënkuptohet që nuk është i izoluar në tërësi nga ujëra”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MKRS lidhur me depërtimin e ujit të shiut brenda hapësirave të bibliotekës.

Renovimi i kulmit të bibliotekës po bëhet nga konsorciumin “K-ING ShPK & CDC ShPK”.

Përfaqësues të këtij konsorciumi nuk kanë pranuar të flasin për KALLXO.com lidhur me shkaqet e depërtimit të ujit të shiut brenda në bibliotekë, me arsyetimin se për këtë duhet pyetur Ministria e Kulturës.

Gjatë gjithë ditës së sotme reshjet të shiut kanë depërtuar në ambientet e brendshme të bibliotekës.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për rrjedhjen e shirave brenda zyrave dhe sallave të bibliotekës.