Ministria e Kulturës do të paguajë dy kroatë mbi 130 mijë euro për Strategjinë shtetërore të sportit

Me kontraktim nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të paguajë 130 mijë e 400 euro dy kroatë.

Kjo pagesë do t’u bëhet këtyre dy personave pasi do të ofrojnë shërbimin për hartimin e Strategjisë shtetërore për sportin.

Kështu ka thënë Hajrulla Çeku në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, ku është diskutuar edhe për pagesën që do të marrë Visar Salihu, i cili do të paguhet mesatarisht 5 mijë e 560 euro në muaj për dy vite radhazi për shërbimet që do të ofrojë si analist i lartë i politikave.

“Janë dy konsulentë kroatë. Shuma e pagesës për këta është 134 mijë e 400 euro” – ka thënë Çeku.

“Këta i ka kontraktu Komiteti Olimpik i Kosovës me mbështetje të Ministrisë, sepse ka qenë kërkesë e jona për me hartu Strategjinë shtetërore për sportin” – ka vazhduar tutje ai.

Sipas ministrit, kjo Strategji është gati në përfundim dhe shumë shpejt do të votohet në Qeverinë e Kosovës.

Çeku tha se Kosova për të parën herë do të ketë një strategji në sport.

Ministri i Kulturës tutje dha edhe një rast tjetër, ku konsulentët paguhen me shifra të larta.

Në këtë rast, projekti është për kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz. Sipas tij, për master-planin e këtij kompleksi shërbimet do t’i kryejë një eksperte nga Bosnja.

Ekspertja në fjalë, që detyra e saj e vetme është që të jetë projektuese për master-planin e kompleksit, do të paguhet nga 400 euro në ditë.

Ajo, sipas Çekut, është e kontraktuar për periudhën shkurt-tetor 2022, me më së shumti 10 ditë pune në muaj.

“Është një grup i madh i ekspertëve që udhëhiqet nga një eksperte ndërkombëtare, e Bosnjës, që ditën e ka 400 euro. Kjo u kontraktu për periudhën shkurt-tetor 2022. Në kontratën e saj kemi thënë më së shumti 10 ditë pune në muaj” – ka thënë ministri.

Një hulumtim i KALLXO.com ka zbardhur se Visar Salihu, i cili e ka fituar kontratën e MKRS-së përmes tenderit në një garë që nuk kishte asnjë konkurrent, do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës.

Eksperti i angazhuar nga Ministria që drejtohet nga Çeku i Vetëvendosjes do të ketë pagë dukshëm më të madhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Paga e tij është 3.7 herë më e madhe se e kryeministrit, apo çdo muaj do të marrë nga 4 mijë e 60 euro më shumë eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës.

Salihu, në dy vitet e ardhshme, do të marrë 97 mijë e 440 euro më shumë se sa kryeministri Albin Kurti.

Eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës, që do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës, nuk ka dashur të japë detaje për punën që ai do të bëjë në këtë dikaster qeveritar.

“Unë nuk mund të jap informata të tilla, drejtohuni te autoritetet, të gjitha detyrat që janë të përshkruara në kontratë jam i obliguar që t’i kryej” – kishte thënë shkurt Salihu në një bisedë përmes telefonit për KALLXO.com.

Nga Ministria e Kulturës patën thënë se Visar Salihu i angazhuar si analist i lartë i politikave do të ofrojë shërbime profesionale, sipas kërkesës në reformim, zhvillim dhe menaxhim të politikave, programeve e projekteve në kuadër të dikastereve të ndryshme, e të tjera.