Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prizrenit nënshkruajnë marrëveshje për shtëpinë e kulturës në Manastiricë

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e shtëpisë së kulturës në fshatin Manastiricë të kësaj komune, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Ky projekt pritet të implementohet në vitet 2020-2022 me vlerë financiare prej 300 mijë euro.

“Prizreni është qyteti më i bukur dhe tregon diversitetin kulturor. Ministria e Kulturës ka diku 18 projekte të cilat janë duke u realizuar”, tha ministrja.

Ndërsa, sipas Haskukës, realizimi i këtyre projekteve është shumë i rëndësishëm për fshatrat.

Përpos finalizimit të marrëveshjes më këtë Komunë për projektin e Muzeut të Filigranit, Dumoshi paralajmëroi edhe për një sallë sportive.

Aktualisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka 18 projekte në realizim në komunën e Prizrenit.