Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

Ministria e Kulturës dha mbi 100 mijë euro për pagat 20 pjesëtarëve të strukturave paralele

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pagur mbi 100 mijë euro për pagat e 20 pjesëtarëve të “Mbrojtjes civile” në Mitrovicën e Veriut, gjatë vitit 2021.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, këta pjesëtarë të strukturës ilegale “Mbrojtja civile”, të njohur ndryshe edhe si ish-rojat e urës, janë paguar nga MKRS pa ofruar dëshmi rreth vijueshmërisë në punë.

“Për 20 pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘Mbrojtja civile’, MKRS-ja nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për të konfirmuar vijueshmërinë në punë. Shpenzimet e pagave gjatë vitit 2021 për të punësuarit e lartëcekur ishin 100,264 euro”, thuhet në raportin e auditimit për MKRS-në në vitin 2021.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës të vitit 2015, 20 pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur “Mbrojtja civile” ishin caktuar në departamente të ndryshme të MKRS-së në veri të vendit.

Sipas konfirmimeve që ka marrë Auditori nga zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri.

E njëjta gjetje ka qenë e evidentuar nga Auditori edhe në raportet e auditimit të viteve të kaluara për këtë ministri.

Raportin e plotë të auditimit për Ministrinë e Kulturës mund ta gjeni KËTU.