Ndërtesa e qeverisë | Foto: Atdhe Mulla

Ministria e Jashtme tregon arsyen pse nuk i dha leje Petar Petkoviqit për të hyrë në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka treguar arsyen pse nuk i ka dhënë leje Petar Petkoviqit, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, që të hyjë në vendin tonë.

Petkoviq kishte kërkuar leje të hynte në Kosovë për sot, 27 shtator.

“Mosdhënia e lejes për vizitë bazohet në mosrespektimin e përsëritur nga ana e z. Petar Petkoviq të marrëveshjes lidhur me vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve politikë, lidhur në Bruksel mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë” – thuhet në njoftim.

Tutje në njoftimin MPJD-së thuhet se Petkoviq në vazhdimësi është paralajmëruar që gjuha e përdorur nga ai bie ndesh me marrëveshjen dhe që përdorimi i përsëritur i kësaj gjuhe rrjedhimisht çon në refuzimin e kërkesave për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.