Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Jashtme thirrje qytetarëve: Shmangeni kalimin nëpër Serbi!

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve që për shkak të situatës në veri të vendit të shmangin kalimin nëpër Serbi.

Në një njoftim Ministria ka thënë se gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të tyre në shtetin e Serbisë.

“MPJD, gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastet nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd. Marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, MPJD fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim”- thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Që nga e dita e premte situata në veri të vendit është tensionuar. Protestuesit në Zveçan kanë përdorur dhunë dhe kanë gjuajtur dhe mjetë shpërthyese në drejtim të trupave të KFOR-it.

Protestat janë duke vazhduar edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Zhvillimet në veri – Vazhdojnë protestat