Ministria e jashtme ruse: Do të ndërmarrim hapa 'ushtarako-teknikë' nëse Helsinki aplikon për anëtarësim në NATO

Sot, është dita e 79 e pushtimit rus në Ukrainë – lufta e parë tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi rus mbi Ukrainë filloi më 24 shkurt, kur presidenti rus Vladimir Putin nisi, sipas tij, një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare dhe është përballur me zemërim në gjithë botën.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj këtij pushtimi.

SHBA dhe shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit t’i tërheqë forcat nga Ukraina dhe janë zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.

Ndërkohë, këto janë zhvillimet më të fundit në dhe rreth luftës në Ukrainë:

Një gjykatë në Kiev do ta mbajë procesin e parë gjyqësor për krimet e luftës gjatë pushtimit rus në Ukrainë. Vadim Shysimarin, 21 vjeç, komandant në divizionin e tankeve të Rusisë Kantemirovskaya, akuzohet se ka qëlluar për vdekje një burrë të paarmatosur, 62 vjeçarin i cili ishte në një biçikletë dhe fliste në telefonin e tij në fshatin Chupakhivka, Sumy. Shysimarin u urdhërua “ta vriste një civil në mënyrë që ai të mos i raportonte tek mbrojtësit ukrainas”, sipas prokurorëve.

Ministria e Jashtme ruse në Moskë tha se do t’i duhej të ndërmarrë hapa “ushtarako-teknikë” nëse Helsinki vendos të aplikojë për anëtarësim në NATO, pasi presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö dhe kryeministrja, Sanna Marin, thanë se duhet të aplikojnë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake “pa vonesë”. Suedia pritet ta ndjekë të njëjtin hap brenda ditësh.

Rusia mund t’i shkurtojë furnizimet e saj me gaz në Finlandë të premten, një ditë pasi liderët finlandezë thanë se do të aplikonin për t’u bashkuar me NATO-n, sipas raporteve.

Senatori republikan Rand Paul e ka bllokuar miratimin e një projektligji ndihme prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën në Senatin amerikan. Paul kërkoi ndryshime duke përfshirë një inspektor të përgjithshëm për të mbikëqyrur se si shpenzohet kjo shumë.

Michael Carpenter, ambasadori i SHBA-së në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), tha se “të paktën disa mijëra ukrainas” janë dërguar në të ashtuquajturat “qendra të filtrimit” në Rusi, ku ata janë subjekt i “marrjes në pyetje në mënyrë brutale”. Dhjetëra mijëra të tjerë ishin evakuuar në Rusi ose në territorin e kontrolluar nga Rusia. Carpenter tha se një i mbijetuar tha se “të gjithë kishin frikë të dërgoheshin në Donetsk”, ku ata mund të ishin viktimë e “hetimit të mëtejshëm ose vrasjes”.

Masat urgjente për ta thyer bllokadën ruse të eksporteve të grurit nga portet e Ukrainës, duke përfshirë përpjekjen për të hapur rrugë përmes Rumanisë dhe Balltikut, po diskutohen në një takim tre-ditor të ministrave të jashtëm dhe të bujqësisë G7 në Gjermani. Para luftës, shumica e ushqimit të prodhuar nga Ukraina – e mjaftueshme për të ushqyer 400 milionë njerëz – eksportohej përmes shtatë porteve të saj të Detit të Zi.

Autoritetet ukrainase kanë deklaruar se kishin dëmtuar dhe djegur një anije logjistike të marinës ruse në Detin e Zi. Vsevolod Bobrov ishte afër ishullit të gjarpërinjve, tha Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake rajonale të Odesës në Ukrainën jugore. 

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, ka thënë se “negociatat shumë të vështira” po vazhdojnë për evakuimin e 38 luftëtarëve të plagosur rëndë nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal në qytetin port ukrainas të Mariupolit, në këmbim të robërve rusë të luftës. “Po punojmë hap pas hapi,” tha ajo. “Do t’i shkëmbejmë 38, pastaj do të vazhdojmë”.

Numri i njerëzve që kanë ikur nga Ukraina për t’i shpëtuar pushtimit rus e ka tejkaluar shufrën prej gjashtë milionë, ka thënë agjencia e OKB-së për refugjatët. Tetë milionë njerëz të tjerë janë zhvendosur brenda Ukrainës.

Gati 100 fëmijë u vranë në Ukrainë vetëm gjatë muajit prill, por shifrat aktuale mund të jenë dukshëm më të larta, tha Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF. Zëvendësdrejtori ekzekutiv i UNICEF-it, Omar Abdi, kërkoi t’i jepet fund bombardimeve të shkollave ukrainase, duke shtuar se një në gjashtë shkolla të mbështetura nga UNICEF në Ukrainën lindore ishin “dëmtuar ose shkatërruar” që nga java e kaluar.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian planifikojnë ta marrin në vlerësim anëtarësimin e Ukrainës muajin e ardhshëm, sipas ministrisë së jashtme franceze.

Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut e ka miratuar një rezolutë për t’i hetuar abuzimet e supozuara nga trupat ruse në pjesë të Ukrainës që dikur ishin nën kontrollin e tyre, me synimin për t’i mbajtur përgjegjës autorët. Rezoluta u miratua me një shumicë të fortë, me 33 anëtarë që votuan pro dhe dy – Kina dhe Eritrea – kundër. Pati 12 abstenime.

Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, tha se 1000 trupa ishin gjetur në kryeqytetin ukrainas, Kiev, javët e fundit. Shumë nga shkeljet që po verifikon që nga pushtimi rus mund të përbëjnë krime lufte, tha ajo./The Guardian