Ministria e Jashtme rrit “dozën” e kompensimeve për diplomatët dhe familjarët e tyre

Në rregulloren e re për kompensimin e anëtarëve të shërbimit të jashtëm janë bërë ndryshime të cilat rrisin standardin e diplomatëve të Kosovës që gjenden nëpër botë – përfshirë rritjen e shtesave në bazë të rrezikshmërisë së vendit, shtimin e mbulimit të shpenzimeve për familjarët gjatë udhëtimeve dhe kompensimet për anëtarët e familjes.

Me rregulloren e re të Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporës, ministrja me vendim të veçantë mund t’iu japë diplomatëve të caktuar shtesa deri në 50% të pagës, duke e arsyetuar rritjen e tillë me shkallën e kompleksitetit, rrezikshmërisë, kushteve klimatike dhe shëndetësore për misionin e caktuar. 

Rregullorja e re përcakton se rritja mund të bëhet vetëm me vendim të ministrit, në bazë të vlerësimeve të brendshme të ministrisë dhe në përputhje me mundësitë buxhetore.

Përndryshe, rregullorja e kaluar, ajo vitit 2023 e lejonte këtë rritje në emër të rrezikshmërisë vetëm deri në 20 përqind të pagës. Ajo u shfuqizua në ditën kur hyri në fuqi rregullorja e re, më saktësisht më 3 shtator 2024.

Rregullorja e re u miratua më 28 gusht 2024 gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës. 

Çështja kryesore e trajtuar me këtë rregullore është përcaktimi i vlerës, kushteve, mënyrës dhe procedurës për përfitimin e kostos së jetesës dhe kompensimeve të tjera të anëtarëve të shërbimit të jashtëm që e ushtrojnë detyrën jashtë vendit si dhe kompensimi dhe mbulimi i shpenzimeve operacionale.

Përveç aspektit të shtesave, disa ndryshime janë bërë edhe në dispozitën për udhëtimet, veçmas për udhëtimin e familjarëve të diplomatëve, që më parë ministria përkatëse mbulonte më pak shpenzime për ta.

Me rregulloren e re, përveç se MPJD mbulon shpenzimet e udhëtimit të diplomatëve dhe të familjes së ngushtë të cilët e shoqërojnë diplomatin në mision në fillim dhe përfundim të mandatit, tashmë i mbulon edhe shpenzimet e tyre kur e shoqërojnë diplomatin në mision për në atdhe dhe anasjelltas dy herë brenda mandatit katër vjeçar. 

Ndryshe nga rregullorja e vjetër që mbulonte shpenzimet për familjarë në fillim dhe në fund të mandatit dhe në raste të vdekjeve të anëtarëve të afërt, rregullorja e re ka edhe një paragraf të veçantë që përcakton mbulimin e shpenzimeve edhe për shkak të kushteve klimatike dhe shëndetësore, rrezikshmërisë dhe distancës gjeografike.

Në emër të rrezikshmërisë dhe tri arsyeve tjera vartëse, ministria mbulon shpenzimet e udhëtimit të diplomatit dhe anëtarëve të ngushtë të familjes dy herë brenda vitit, për vitin e dytë dhe tretë të shërbimit të diplomatit në Australi, Panama, Japoni, Malajzi, Tajlandë, Bangladesh, Senegal dhe Kolumbi.

Me një ndryshim tjetër në këtë rregullore, parashihen kompensime shtesë jetësore-familjare.

Në rast se diplomati/ja shoqërohet në mision jashtë vendit nga anëtari apo anëtarët e ngushtë të familjes, në emër të shpenzimeve shtesë për shportën familjare, shpenzimet e aktiviteteve sociale, shpenzimet e transportit, shpenzimet e tjera të aktiviteteve jetësore të përditshme, ai/ajo mund të kompensohet në bazë të numrit të anëtarëve, të shumëzuar me indeksin e kostos jetësore të vendit pritës.

Për anëtarin e parë të familjes që e shoqëron diplomatin/en në mision jashtë vendit paguhet kompensimi prej 100 euro; për anëtarin e dytë të familjes paguhet kompensimi prej 70;  dhe për secilin nga anëtarët e tjerë të familjes që e shoqërojnë diplomatin/en në mision jashtë vendit, paguhet kompensimi prej 50 euro.

Me rregulloren e kaluar, lartësia e kompensimit në emër të shpenzimeve të shportës familjare, aktiviteteve sociale, transportit dhe shpenzimeve të tjera të aktivitetit jetësor të përditshëm ishte përqindja e pagës bazë, e caktuar me vendim të ministres, që reflekton se sa për qind është kostoja e jetesës më e shtrenjtë në vendin pritës, krahasuar me Kosovën.

Diplomati, me rregulloren e kaluar ishte kompensuar për shpenzimet e fëmijëve të saj/tij nën moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, të cilët banojnë bashkë me diplomatin në shtetin pritës: për fëmijën e parë shtesa prej dhjetë për qind e pagës mujore; për fëmijën e dytë 8 përqind; dhe për të tretin 6 përqind të pagës mujore.

Sipas Ligjit për Paga, koeficienti për pagën e ambasadorit është 12.8, apo 1 mijë e 344 euro. 

Nga muaji shkurt 2024, diplomatët të Kosovës të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës iu kishte kthyer sistemi i pagave me të vjetrën, për shkak të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mbi Ligjin për Paga në sektorin publik.

Në vitin 2023, Kushtetuesja i shpalli të pavlefshëm “paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41 të këtij ligji, mbi bazën e të cilëve në fakt ishin ulur pagat e anëtarëve të shërbimit të jashtëm.Aktgjykimi i Kushtetueses ishte përcaktuar të hynte në fuqi më 01.02.2024.

Në muajin mars 2024, KALLXO.com kishte raportuar për shpenzimet e ambasadorëve dhe konsujve të Kosovës nëpër botës – informata të cilat i kishte marrë në rrugë ligjore përmes qasjes në dokumente publike në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Diasporë.