Foto: MPJD

Ministria e Jashtme reagon ndaj deklaratës së ministrit serb për armatosje të Serbisë nga Rusia

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të ri serb të Mbrojtjes, i cili thuhet të ketë  deklaruar se “tridhjetë tanke T-72 do të arrijnë në Serbi, si pjesë e marrëveshjes Vuçiq-Putin, të arritur në Soçi”.

Në komunikatë thuhet se duke u bazuar në të kaluarën e rëndë kriminale të Serbisë, armatosja e Serbisë nga ana e Rusisë është kërcënim i qartë për të gjithë rajonin.

“Ky armatim i radhës i Serbisë, vjen menjëherë pasi që Rusia njoftoi hapjen e një zyre të saj në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, në përpjekje për t’i thelluar lidhjet ushtarake dhe koordinim të plotë ushtarako-teknik në mes të dy vendeve.”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

Tutje, në reagim thuhet se Serbisë dhe Rusisë I pengon prania e NATO-s në Kosovë .

“Përderisa Serbia duket se është përcaktuar që të bëhet një hambar ushtarak rus, Kosova dhe vendet tjera të rajonit tonë janë përcaktuar për vlerat e vendeve të civilizuara dhe demokratike. Anëtarësimet euro-atlantike të të gjitha shteteve tona, janë përgjigjja më e mirë ndaj tendencave të këtyre vendeve që po përpiqen ta destabilizojnë rajonin tonë dhe ta kërcënojnë në vazhdimësi paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.”, thuhet tutje në reagim.