Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Jashtme propozon shkarkimin e të gjithë ambasadorëve të "emëruar politikisht"

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka propozuar lirimin nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët janë të emëruar politikisht.

Kjo është bërë e ditur nga MPJD në një përgjigje për KALLXO.com.

Sipas këtij institucioni, propozimet i janë përcjellë gjatë kësaj jave presidentes Vjosa Osmani.

“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm”, thuhet në përgjigje.

Lidhur me këtë është paralajmëruar që ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla do të deklarohet më hollësisht gjatë ditës së nesërme.