Ambasada e Kosovës në Uashington. Foto: Kryeministri Albin Kurti në Facebook.
Ministria e Jashtme i kundërpërgjigjet akuzave të anëtarëve të KQZ-së për votimin nga jashtë
Për të zgjedhur Qeverinë e Kosovës, për herë të parë në historinë e vendit, mërgimtarët do të kenë mundësinë të votojnë në qendrat e votimeve të caktuara në 22 shtete në të cilat jetojnë nëpër botë.
Edhe pse është vendosur që votimi nëpër ambasada e konsullata dhe numri maksimal i votuesve do të bëhet sipas listës të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), paraprakisht në lidhje me këto lista pati një debat mes anëtarëve të këtij institucioni të pavarur dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Çështja kryesore e këtij diskutimi është se MPJD ka paraparë numër më të madh të votuesve në një vendvotim dhe të marrin objekte alternative në mënyrë që mërgimtarët të votojnë fizikisht, ndërkaq anëtarët dhe Sekretariati i KQZ-së kanë thënë se nuk është e mundur që brenda një vendovotimi të ketë 10 mijë votues.
Anëtarët e partive politike opozitare në KQZ, pretenduan që MPJD ka ndërhyrë në lista edhe pse në to paraprakisht kishin punuar si grup punues së bashku me zyrtarë të kësaj ministrie dhe ishin pajtuar për këtë listë. Më pas, sipas tyre, ministria përkatëse ka dërguar vonë një listë tjetër, pak para se të nisë mbledhja e komisionit më datë 28.08.2024.
Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministres Donika Gërvalla- Schwarz, tha se Ministria e Jashtme propozimet fillestare të KQZ-së për numrin e vendvotimeve dhe numrin e fletëvotimeve për secilin vendvotim, të pranuara në formë zyrtare, ashtu siç edhe është e paraparë, janë marrë në shqyrtim nga MPJD.
“Pasi kemi parë që propozimi i KQZ-së për numrin e votuesve në secilën qendër votimi (Ambasadë apo Konsullatë) është simbolik dhe kufizon të drejtën ligjore të qytetarëve për të votuar edhe fizikisht, MPJD ka dërguar propozimin e saj me kohë në KQZ”- tha Sahiti për KALLXO.com, pas vendimit të KQZ-së.
Sahiti tha se vlerësimi i MPJD-së për numrin e votuesve në secilin shtet është bërë duke pasur parasysh rregullimet ndërkombëtare dhe mundësinë e përdorimit të hapësirave publike apo private për këtë qëllim.
“MPJD ka marrë në konsideratë gjithashtu statusin e këtyre hapësirave dhe, për këtë, bën thirrje që opinioni publik të mos manipulohet me informacione të mangëta”- tha ai.
Këshilltari i ministres thotë se në procesin e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, MPJD ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të siguruar që të gjithë qytetarët jashtë vendit të kenë mundësinë e barabartë për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike përmes votimit fizik në ambasada dhe konsullata.
Gjatë mbledhjes të KQZ-së më datë 29.08.2024, në të cilën u miratua lista, anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi pati një propozim tjetër, që mos të kufizohet numri maksimal i votuesve dhe të nisë regjistrimi menjëherë, por një propozim i tillë nuk kaloi.
Edhe bashkëpartiaku i tij, Alban Krasniqi, tha se MPJD e ka pasur fjalën që 20 mijë votues për hapësirat që janë duke u munduar t’i sigurojnë [në diasporë], e jo për në qendrat ekzistuese.
Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, tha para votimit të listës përfundimtare se lista Sekretariatit të KQZ-së ka marr pëlqimin e zyrtarëve të MPJD-së gjatë grupit punues gjatë punës së përbashkët, dhe se ndërkohë kanë dërguar propozime tjera që janë të pamundura.
Ndërsa, Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga radhët e LDK-së tha se përfaqësitë diplomatike të Kosovës nuk kanë kapacitete për aq sa ka propozuar Ministria Jashtme dhe Diasporës.
“Kjo temë prej dje më shumë është bërë politike sesa teknike”- tha ai.
Votimin nga jashtë e mundësoi Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë i cili ishte miratuar në Kuvend brenda ditës në të dy leximet, më 08.06.2023.
Në lexim të dytë 79 deputetë e mbështeten këtë Projektligj, përderisa tre të tjerë abstenuan. Si rrallëherë gjatë kësaj legjislature, deputetët e partisë në pushtet dhe ata të opozitës janë të të njëjtit mendim sa i përket një çështjeje – Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.
Grupet parlamentare të të gjitha partive ishin shprehur pro miratimit të tij.
Disa nga çështjet që rregullohen me këtë Projektligj janë: regjistrimi i votuesve jashtë vendit, e drejta e votës, numërimi i votave, mbështetja financiare shtesë për partitë që krijojnë më shumë hapësirë për deputete gra.
Votimi jashtë vendit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të mbahet më 8 shkurt 2025, apo një ditë para se të hapen kutitë e votimit në Kosovë.
Procesi zgjedhor do të nisë nga ora ora 07:00 deri në orën 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës dhe do të zhvillohet në 22 shtete të botës në të cilat Kosova ka përfaqësi diplomatike.
47 mijë është numri i votuesve nga diaspora që do të mund të votojnë në 22 shtete, në 35 qendra të votimit, me gjithsej 47 vendvotime.
Lista preliminare e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmban: 2,047,148 votues, apo 161,700 votues më shumë, shtetas të Kosovës, në krahasim me zgjedhjet e lokale 2021, të mbajtura me datë 17 tetor 2021.