Ministria e Jashtme e Bullgarisë i reagon Ramës për mënyrën e të folurit, Rama i thotë ‘hiqni veton, ose më duroni me mua’

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, ka reaguar lidhur me deklarimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama gjatë Samitit të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor në drejtim të Bullgarisë.

Ministria në komunikatë ka theksuar se mbështesin identitetin europian të popullit shqiptar, duke potencuar se këtë gjë e bënë në një kohë kur ishte shumë më vështirë se sot.

“Bullgaria ka qenë gjithmonë ndër ato shtete anëtare të BE-së që mbështesin identitetin europian të popullit shqiptar. Ne u ngritëm për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE atëherë kur ishte shumë më e vështirë se sot. Ndër vite nuk ka pasur shumë zëra të tjerë me ne në këtë kauzë. Ne ende qëndrojmë për të sot, pavarësisht gjithçkaje, për hir të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Ministria e Punëve të Jashmte të Bullgarisë e konsideron si të rëndë dhe fyuese gjuhën e përdorur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama ndaj këtij vendi.

Në komunikatë i bëhet thirrje zotit Rama që të përdor gjuhë që i përshtatet një politikani të një vendi kandidat për BE.

“Si përgjigje, jo për herë të parë,  kemi dëgjuar kualifikime të  rënda, fyese nga një kryetar qeverie. Hedhjet bile në një rang kaq të ulët gjuhësor nuk mund të justifikohen më me karakteristikat e karakterit dhe mungesën e aftësive evropiane të komunikimit. Presim që kryeministri shqiptar të marrë parasysh mjetet e tij shprehëse në një gjuhë që i përshtatet një politikani të një vendi kandidat për anëtarësim në BE”, u tha më tej në komunikatë.

Përkundër kësaj, nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë bëhet thirrje për ton të mirë komunikimi dhe që marrëdhëniet mes dy vendeve të mos jenë peng i një kryeministri aktual.

“Në këtë nivel, më shumë se çdo gjë tjetër, ne insistojmë të mbajmë një ton të mirë komunikimi. Në këtë nivel është dëshmuar gjithmonë nga ana jonë i gjithë respekti që kërkon pozicioni përgjegjës dhe niveli i marrëdhënieve ndërshtetërore. Ne kemi një të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët po ikin. Kombet po qëndrojnë. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët që nuk duhet të pengohet nga një gjykim i gabuar i politikanit. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes dy vendeve të mbahen peng të ekscentricitetit të kryeministrit aktual shqiptar”, potencohet më tej në komunikatë.

Kësaj komunikate të Ministrisë i ka reaguar menjëherë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai përmes rrjetit ‘Twitter’, ka thënë se meqenëse Bullgaria ka problem me mënyrën e tij të të folurit edhe ai ka problem me mënyrën si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet bilateriale me procesin e zgjerimit.

“Oh! Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka problem me mënyrën time të të folurit! Mjaft e drejtë. Edhe unë kam problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet biletarale duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për rrëmbimin e dy vendeve të NATO-s! Lehtë miq: Hiqni VETO-n ose më duroni mua!”, ka thënë Rama

Rama para samitit: Nuk pres ndonjë zgjidhje për çështjen e Bullgarisë