Ilustrim

Ministria e Jashtme dhe e Shëndetësisë: Nuk kemi pasur dokument shëndetësor për të riun nga Gjilani

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh) kanë dalë një komunikatë të përbashkët për rastin e të riut nga Gjilani, i cili ka vdekur në karantinën e Qendrës së Studentëve.

Ministritë kanë theksuar se pas shqyrtimit të raporteve, nuk kanë pasur ndonjë dokument shëndetësor përveç shënimit në listë si “prob. shen. – posedonvertetim”, siç janë shënuar edhe rastet e tjera.

“Pas shqyrtimit të raporteve, kemi kuptuar që për rastin në fjalë Qendra Operative e MPJD-së dhe zyrtarët e saj, përveç shënimit në listë si “prob. shen. – posedonvertetim”, siç janë shënuar edhe rastet e tjera, nuk kanë pasur asnjë dokument shëndetësor. Duhet ta sqarojmë, që listat e tilla dërgohen rregullisht nga misionet diplomatike dhe ato nuk janë valide për ta përcaktuar qëndrimin apo mosqëndrimin e dikujt në karantinë, sepse ato përgatiten nga shefat e misioneve diplomatike, e jo nga organet shëndetësore”, thuhet në komunikatë.

Edhe Qendra Operative Emergjente, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, thekson se nuk ka qenë e njoftuar dhe nuk i janë dërguar dokumente shëndetësore të cilat do të alarmonin për gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, “në asnjërën nga tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor, siç ka ndodhur me rastet e tjera të cilat janë liruar”.

Për këtë rast, MSh-ja, thotë se ka kërkuar raporte me shkrim nga zyrtarë, profesionistë dhe ekipe përgjegjëse që janë nën menaxhimin e kësaj ministrie.

Edhe MPJD ka theksuar se ka filluar kontaktet ndërinstitucionale për t’uinformuar për detajet e tij.

“Njëkohësisht, MPJD ka kërkuar raporte të detajuara zyrtare nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe nga Qendra Operative e MPJD-së, e cila është përgjegjëse për koordinimin e kthimit të qytetarëve në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë kanë bërë thirrje që organet e hetuesisë të punojnë për zbardhjen e rastit në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe njëkohësisht shprehin gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me organet përkatëse.

“Vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe transparent me organet e hetimit dhe vetëm duke e mbajtu rrastin larg nga politika, do të mund të kuptohet e vërteta dhe të vihet drejtësia në vend”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Problemet e mundshme shëndetësore të Agon Musliut ishin paralajmëruar disa dhjetëra minuta para se ai të gjindej i vdekur në oborrin e karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

KALLXO.com ka zbuluar se Qendra Operative Emergjente e Gjilanit rreth 30 minuta para se të ndodhte ngjarja kishte kërkuar që viktima të vizitohet nga një mjek neuropsikiatër pasi kishte treguar shenja depresive.

Dokumenti që mban datën 3 maj ishte dërguar si email nga Gjilani për në Prishtinë në adresë të Qendrës Operative Emergjente në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga KALLXO.com, emaili ishte kthyer 27 minuta më vonë dhe qendra kishte njoftuar se me informacionin ishte njoftuar qendra e karantinës.

Në ndërkohë incidenti kishte ndodhur në ora 17:30 dhe sipas raportit të Emergjencës, Agon Musliu ka vdekur në orën 17:45.

KALLXO.com ka siguruar edhe emailin e Komunës së Gjilanit që i kishte shkuar Qendrës Operative në orën 17:03 minuta ndërsa Qendra kishte kthyer përgjigje në orën 17:30.

Vdekja e 26 vjeçarit në karantinë, komuna i paralajmëroi problemet e mundshme psikike