Ministria e Integrimit Evropian pagoi ‘paushall’ shpenzimet e rrymës dhe pastrimit

Shpenzime përmes procedurave të jo të rregullta janë evidentuar në Ministrinë e Integrimit Evropian  për vitin 2019.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se sipas kontratës për objektin e marrë në shfrytëzim për nevojat e MIE, ministria obligohej që të kryente obligimet e harxhimeve të rrymës, ujit, mbeturinave dhe telefonisë, si dhe harxhimet e ngrohjes.

Por, Auditori thekson se faturimi ishte bazuar në totalin e shpenzimeve të energjisë sipas faturës së rregullt nga KEDS për tërë objektin; në njërin rast duke e përpjesëtuar sipas hapësirës që shfrytëzon MIE – një të tretën, ndërsa në rastin e dytë pagesa ishte bërë në baza ‘paushall’.

Njëjtë ishte vepruar edhe me shpenzimet e pastrimit të objektit dhe klimatizimit, edhe pse nuk ka dëshmi të rrjedhjes së obligimit (kontratë apo faturë për shërbimin) nga palët e treta, ndërkohë që ministria kishte një kontratë për pastrimin në hapësirat e brendshme të saj.

ZKA bën të ditur se nga testimet, kanë identifikuar dy pagesa: Pagesa e energjisë elektrike për muajin janar 314 euro dhe pagesa në emër të pastrimit 310 euro, si dhe pagesa për energji elektrike për muajin gusht 600 euro, për pastrim 200 euro dhe klimatizim 1,500 euro për shpenzimet lidhur me objektin e marrë në shfrytëzim.

“Pagesa e energjisë elektrike nga MIE ishte shpenzuar nga operatori i cili është qiradhënësi i objektit. Faturimi ishte bazuar në totalin e shpenzimeve të energjisë sipas faturës së rregullt nga KEDS për tërë objektin; në njërin rast duke e përpjesëtuar sipas hapësirës që shfrytëzon MIE – 1/3, ndërsa në rastin e dytë pagesa ishte bërë në baza ‘paushall’”, thuhet në raport.

Sipas auditorit, të gjitha këto shpenzime, lidhen me shfrytëzimin e objektit nëpërmjet qiramarrjes për nevojat e ministrisë. Obligimet e tilla nuk ishin paraparë në marrëveshjen ligjore mes kompanisë qiradhënëse dhe Ministrisë.

Kurse, sipas zyrtarëve mos respektimi i kërkesave ligjore duke aplikuar procedura jo të rregullta të ndarjes së obligimeve ishte si zgjidhje e vetme për këto shpenzime të cilat nuk kishin mundur të parashihen në kohën që objekti ishte marrë në shfrytëzim.

Ndërkaq, sipas ZKA-së, ekziston rreziku që obligimet të mos jenë vlerësuar saktë dhe konkretisht të bëhen shpenzime jo racionale sipas shërbimeve të pranuara.

Ministria e Integrimit Evropian gjatë qeverisë së kaluar (2017-2020) është udhëhequr nga ministrja Dhurata Hoxha e cila vjen nga radhët e PDK-së. Kurse, tash këtë ministri e ka shuar në tërësi Qeveria në krye me Avdullah Hotin.