Ministria e Infrastrukturës tregon për gjendjen e rrugëve pas reshjeve të borës

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka njoftuar se sot të gjitha rrugët në Kosovë janë të qarkullueshme për të gjitha llojet e automjeteve.

“Sipas informatave nga tereni nga menaxherët e mirëmbajtjes së rrugëve, të gjitha rrugët Nacionale dhe Regjionale, si dhe Autoudhët janë të qarkullueshme për automjete”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas Ministrisë, kompanitë e kontraktuara nga MMPHI-ja gjatë tërë kohës po punojnë në pastrimin e borës si dhe po intervenojnë me shpërndarje të kripës për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve.

Gjithashtu, MMPHI tregon se kujdes të veçantë po i kushtohet rrugëve që shtrihen në lartësi të mëdha mbidetare pasi aty paraqiten ngrica herë pas herë.

“Kërkojmë nga ana e vozitësve kujdes më të shtuar dhe respektim të rregullave të vozitjes gjatë kësaj kohe”, thuhet tutje në njoftim.