Ministria e Infrastrukturës, thirrje Limakut që t'i respektojë punëtorët

Një ditë para se të mbahet protesta e paralajmëruar nga punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka reaguar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se kanë pranuar me shqetësim paralajmërimin e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” për fillimin e protestave.

Ata kanë apeluar te drejtuesit e Sindikatës dhe ata të aeroportit, që të diskutojnë rreth zgjidhjes së problemeve për të cilat punëtorët janë të pakënaqur.

Njëkohësisht, MIT i ka bërë thirrje konsorciumit “Limak”, që të respektojnë me përpikëri ligjet e Kosovës dhe kontratën për koncesionimin e ANP “Adem Jashari”.

“Konsiderojmë që është e dëmshme ndalja e punës nga ana e punonjësve të aeroportit, pikërisht në kohën e fluksit më të madh të udhëtarëve, veçanërisht diasporës”, thuhet në njoftimin e MIT.

Këto qëndrime, tek të dyja palët, në takime të ndara, i përcolli zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve në aeroport, Bashkim Latifi ka thënë se kushtet në të cilat punojnë punëtorët e aeroportit të Prishtinës janë jo të mira.

“Në çdo sektor në aeroport ka diskriminim në paga, madje punëtoret nuk guxojnë as të tregojnë. Orët e punës gjatë vikendeve, të shtunës dhe të dielës, duhet të paguhen sipas ligjeve, sepse gjatë kësaj kohe rritet fluksi i udhëtarëve. Kërkesë kemi edhe për një shujtë, më herët i kemi marrë nga 10 euro në ditë për ushqim ndërsa tash jo. Tash ushqimin e blejmë vetë”, tha Latifaj para gazetarëve të martën.

Tutje, kryetari Bashkim Latifi tha se që nga data 13 mars i kanë dorëzuar te menaxhmenti i aeroportit edhe me shkrim kërkesat e punëtorëve të cilat janë pesë, por janë injoruar.

“Kompensimi dhe benefitet për rrezikshmëri, të eliminohen dallimet në pagë në rastet kur punëtorët kanë detyra të njëjta të punës, pagesa për përvojën e punës, të paguhen orët gjatë vikendeve dhe të kenë punëtorët një shujtë”, tha ai.

Punëtorët e Aeroportit do të protestojnë për kushtet e punës

.